KORREKT / SOT8 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Qumështorët kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë: Fermerët po përballen me borxhe dhe vonesa në pagesa

Qumështorët kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë: Fermerët po përballen me borxhe dhe vonesa në pagesa

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa urgjente për mbrojtjen financiare të fermerëve të qumështit, duke kërkuar zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe plotësimin e bazës ligjore për garantimin e pagesave me kohë.

Përmes një reagimi publik, Shoqata ka bërë të ditur se viti 2026 ka qenë i vështirë për fermerët, të cilët janë përballur me teprica të qumështit, ulje të çmimeve, refuzim të grumbullimit dhe vonesa në arkëtimin e pagesave për produktin e dorëzuar.

Sipas SHQK-së, edhe pse problemet me tepricat dhe grumbullimin janë tejkaluar, borxhet për qumështin e dorëzuar vazhdojnë të rëndojnë mbi fermerët.

“Qumështi dorëzohet çdo ditë. Pagesat vonohen. Kush i mbron fermerët?”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Aty theksohet se vonesat në pagesa rrezikojnë vazhdimësinë e fermave, vendet e punës dhe furnizimin e tregut me qumësht vendor, pasi shpenzimet për ushqimin e kafshëve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive nuk mund të shtyhen.

Shoqata ka përmendur edhe përvojat e disa vendeve evropiane, si Estonia, Letonia dhe Bullgaria, ku fermerët janë përballur me borxhe të papaguara dhe falimentime të qumështoreve.

Duke u bazuar në këto raste, SHQK ka paraqitur disa kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.

Ndër kërkesat kryesore është zbatimi efektiv i Ligjit për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, përshpejtimi i procedurave përmbarimore për arkëtimin e borxheve dhe mbrojtja e fermerëve në rastet e falimentimit të qumështoreve.

Po ashtu, Shoqata kërkon që të përcaktohet një afat maksimal prej 30 ditësh për pagesën e qumështit të freskët, të bëhen të detyrueshme kontratat me shkrim dhe të krijohen mekanizma të garancisë financiare.

Një tjetër propozim është krijimi i një fondi garantues ose mekanizmi sigurimi, përmes të cilit fermerët do të mund t’i arkëtonin pagesat edhe në rastet kur qumështoret nuk kanë mundësi t’i shlyejnë borxhet.

SHQK ka kërkuar gjithashtu formimin e një grupi ndërinstitucional, me përfshirjen e përfaqësuesve të sektorit, për të vlerësuar zbatimin e ligjeve dhe përgatitur ndryshimet e nevojshme ligjore.

Në fund të reagimit, Shoqata ka theksuar se fermerët nuk duhet të bartin barrën financiare të borxheve të industrisë.

“Fermerët nuk duhet të mbajnë barrën financiare të borxheve të industrisë. Nga vështirësitë në arkëtimin e borxheve duhet të kalojmë te parandalimi i krijimit të tyre!”, thuhet në reagim. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.