Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të votojë Presidentin e Republikës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Qorolli i ka cilësuar këto dy çështje si pjesë të të njëjtit detyrim institucional, duke argumentuar se vendit i nevojiten institucione funksionale dhe vendimmarrje.
“Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë Presidentin dhe e votojmë Projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim — t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, ka deklaruar Qorolli.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat që, sipas tij, do të kishte shkuarja në zgjedhje në këtë fazë të zhvillimeve politike.
“Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë”, është shprehur deputeti i LVV-së.
Qorolli ka përdorur tone të ashpra ndaj atyre që, sipas tij, po veprojnë të motivuar nga përplasjet politike, duke u bërë thirrje deputetëve që të shmangin një skenar të ri zgjedhor.
“Do t’i bini pishman nëse veproni me këtë mllef e maraz prej foshnjorakësh politik”, ka shkruar ai. /Telegrafi/