Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka filluar aplikimin e teknikës së avancuar të radioterapisë SBRT, përmes akseleratorit linear Elekta Versa HD. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook.
Vitia ka njoftuar se kjo teknikë mundëson trajtim më preciz të tumoreve, duke ofruar mbrojtje më të madhe për indet e shëndosha dhe duke reduktuar numrin e seancave në rastet kur pacientët janë të përshtatshëm për këtë metodë, transmeton lajmi.net.
Sipas ministrit, aplikimi i kësaj teknike është rezultat i investimeve në teknologji moderne dhe avancimit profesional të stafit shëndetësor.
Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap drejt përmirësimit të shërbimeve onkologjike në sistemin publik shëndetësor të Kosovës.
Në postimin e tij, Vitia ka falënderuar fizikanët mjekësorë, onkologët radioterapeutë dhe teknikët e radioterapisë për punën dhe përkushtimin e tyre profesional.
“Vazhdojmë me investime që sjellin trajtime më moderne dhe kujdes më cilësor për pacientët tanë!”, ka shkruar ministri.
Fillimi i aplikimit të SBRT-së në Klinikën e Onkologjisë paraqet një zhvillim në ofrimin e metodave bashkëkohore të trajtimit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë./lajmi.net/

