Qeveria e RMV-së njofton investim të ri në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë. Bëhet fjalë për investimin e kompanisë “Cavo Otomotive”, një kompani multinacionale me më shumë se katër dekada përvojë në industrinë automobilistike dhe e pranishme në tregjet ndërkombëtare si prodhuese e sistemeve të sigurisë, kabllove të operimit dhe mekanizmave për prodhuesit më të mëdhenj botërorë në sektorin automobilistik.
“Kompania sot e realizon prodhimin e saj, siç dëgjuat, në Turqi dhe në Evropën Qendrore, duke furnizuar partnerë të shumtë të njohur nga industria automobilistike.
Investimi i ri do të realizohet në ZZHTI Tetovë dhe paraqet një tjetër konfirmim se po bëhemi një destinacion tërheqës për kompanitë që operojnë në industri me vlerë të lartë të shtuar dhe teknologji bashkëkohore të prodhimit.
Është planifikuar që në Tetovë të transferohet i gjithë prodhimi nga Turqia dhe Sllovakia.
Veçanërisht e rëndësishme është se në të ardhmen i gjithë prodhimi i kabllove kontrolluese të kompanisë do të realizohet pikërisht nga këtu, nga Tetova, gjë që përbën një konfirmim shtesë të besimit që investitori ka ndaj ekonomisë vendore maqedonase, fuqisë punëtore dhe klimës së biznesit.
Investimi, siç u përmend tashmë, do të fillojë me marrjen me qira të një objekti ekzistues, që do të thotë se bëhet fjalë për një investim “brownfield”, me sipërfaqe prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa sipas planit zhvillimor të kompanisë, kapacitetet do të zgjerohen deri në 21.000 metra katrorë deri në vitin 2028.
Në pesë vitet e para, përkatësisht në periudhën 2026–2030, kompania planifikon të investojë përafërsisht, siç u përmend tashmë, rreth 20–21 milionë euro”, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë për shtyp.
Siç tha Kryeministri ky investim do të sjellë edhe mundësi të reja punësimi. Sipas planit biznesor të kompanisë, do të hapen diku 400-500 vende të reja pune, në momentin kur kompania të arrijë kapacitetin e saj të plotë./Telegrafi/
