Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim serioz lidhur me disa dispozita të Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, duke vlerësuar se ato cenojnë autonominë funksionale dhe organizative të komunave në Republikën e Kosovës.
Përmes një reagimi publik, AKK theksoi se profesionalizimi, transparenca dhe meritokracia në administratë janë reforma të nevojshme dhe të mirëpritura, por sipas tyre, ato nuk duhet të realizohen përmes centralizimit të kompetencave dhe kufizimit të të drejtave kushtetuese të komunave për menaxhimin e administratës së tyre.
Sipas AKK-së, veçanërisht shqetësuese mbeten dispozitat që fuqizojnë kontrollin e nivelit qendror mbi procedurat e rekrutimit dhe kufizojnë kompetencat e komunave në menaxhimin e stafit drejtues.
“Asociacioni konsideron se komunat nuk mund të trajtohen si njësi të zakonshme administrative të nivelit qendror, pasi ato përfaqësojnë nivel kushtetues të vetëqeverisjes lokale dhe duhet të kenë kompetenca efektive në organizimin dhe funksionimin e administratës komunale”, thuhet në reagim.
AKK paralajmëron se procedurat e parapara me këtë rregullore mund të krijojnë vështirësi funksionale për komunat, sidomos për ato me kapacitete më të kufizuara administrative.
Në reagim kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse që të rishikojnë dispozitat që, sipas AKK-së, cenojnë autonominë lokale, si dhe të përfshijnë komunat dhe vetë AKK-në në procesin e harmonizimit të akteve nënligjore.
Po ashtu, AKK kërkon respektimin e parimeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të mbrojë autonominë lokale dhe funksionimin efikas të administratës komunale në interes të qytetarëve dhe të vetëqeverisjes lokale”, përfundon reagimi./Telegrafi.