Një nga premtimet më të bujshme të fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Prishtinë ishte ardhja e tramit elektrik, projekt i promovuar nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Gjatë fushatës në Zgjedhjet Lokale 2025, e cila kulmoi me balotazhin e nëntorit 2025, Rama e prezantoi projektin si një zgjidhje moderne për transportin publik dhe trafikun në kryeqytet, duke premtuar se trami do të vihej në funksion në qershor të vitit 2026, raporton Telegrafi.
Megjithatë, tashmë kur ka mbërritur qershori i vitit 2026, nuk ka asnjë gjurmë konkrete të realizimit të këtij projekti, ndërsa Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë ndonjë sqarim publik për ecurinë e tij.
Më 26 shtator 2025, Rama njoftonte në rrjetet sociale se “Tramvaji me rrymë do të nisë lëvizjen për herë të parë në Prishtinë, duke sjellë një epokë të re të transportit publik”.
Në videon promovuese të publikuar atëkohë, projekti prezantohej si një mjet transporti që lëviz pa shina dhe pa tela, me kapacitet për rreth 300 udhëtarë, duke u përshtatur me infrastrukturën ekzistuese të qytetit.
“Përtej shinave, përtej telave. Është tramvaji që lëviz pa shina, pa tela. Rritja e kapacitetit të transportit publik për 300 persona. Përshtatet me infrastrukturën aktuale. Më pak ndotje. Zvogëlon trafikun. Siguri më e lartë. I gjelbër, i rehatshëm”, thuhej në videon promovuese.
Pak ditë më vonë, më 6 tetor 2025, Rama deklaroi se projekti tashmë kishte hyrë në fazën e zbatimit.
“Në qershor të 2026-tës, Tram-i do të jetë këtu! Sot filloi zyrtarisht bashkëpunimi i Kryeqytetit me operatorët privat të transportit të ri të Prishtinës (TRIP) për zbatimin e projektit të tram-it elektrik”, kishte shkruar ai.
Sipas Ramës, projekti do të shënonte një hap të ri drejt modernizimit të transportit publik dhe uljes së ngarkesës së trafikut në kryeqytet.
Premtimi u përsërit edhe pas zgjedhjeve lokale. Në një deklaratë të bërë më 29 dhjetor 2025, Rama deklaroi se trami elektrik do të jetësohej në qershor të vitit 2026.
Ai bëri të ditur se tashmë ishin nënshkruar dy kontrata për realizimin e projektit dhe se linja e parë ishte planifikuar të lidhte Fushë Kosovën me lagjen “Bregu i Diellit”.
Ndërkohë, më 22 shkurt 2026, Rama deklaroi se projekti nuk do të kërkonte financim nga buxheti i Komunës së Prishtinës.
“Sa i përket TRAM-it elektrik! Nuk ka nevojë të ndahet buxhet nga Kryeqyteti. Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe do të financohet përmes angazhimit të kapitalit privat”, kishte shkruar ai.
Megjithatë, pavarësisht këtyre deklaratave dhe afatit të përcaktuar publikisht, deri më tani nuk janë prezantuar detaje konkrete për nisjen e punimeve, sigurimin e mjeteve, afatet e implementimit apo fazën aktuale të projektit.
Telegrafi për të parë se në cilën fayë është projekti ka provuar të kontaktojë edhe me komunën e Prishtinës përmes postës elektronike zyrtare, duke kërkuar informacione lidhur me statusin e projektit të tramit elektrik.
Por, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje.
Për pasojë, mbetet e paqartë se në çfarë faze ndodhet aktualisht projekti dhe nëse afati i premtuar për qershorin e vitit 2026 është shtyrë apo braktisur.
Telergafi do të publikoj çdo informacion që vjen nga komuna për të parë ecurinë e projektit./Telegrafi/
