Shkruan: Ridvan Berisha
Që prej 7 vjetësh në pushtet, Albin Kurti vijon të mbetet figura kryesore e Kosovës politike. Në sytë e komunitetit ndërkombëtar, Kurti mbetet figura e vetme me të cilën duhet të punojnë tutje për secilën temë, edhe kur ata mund të jenë të zemëruar me mosbindjen e tij.
Për këto vite, opozita nuk provoi asnjëherë të përcjellë një mesazh kuptimplotë, të besueshëm dhe kredibil se qeverisja nën drejtimin e z. Kurti po e shkatërron shtetin nga brenda dhe nga jashtë.
Analizën më brilante krahasimore për mënyrën dhe metodat e të bërit politikë e ka dhënë një mik i imi, në mënyrë të përsëritur, në TV Arbëria. Ai është Afrim Kasolli.
“Kurti në opozitë, kryebetejën e madhe politike e ka bërë për ta defaktorizuar Hashim Thaçin para komunitetit ndërkombëtar, përmes aksioneve të ndryshme, përfshirë edhe ato të dhunshme. Ky ishte qëllimi i tij. E sot, opozita në Kosovë jo që nuk e ka sfiduar Kurtin për qeverisjen e tij, por ende jep simptoma se ndihet në faj për mënyrën se si e qeverisi Kosovën.”
Në këtë mënyrë, pak a shumë, Kasolli e paraqiti zymtësinë e opozitarizmit gati 7-vjeçar.
Edhe sot, po kjo opozitë, me përjashtim të Aleancës së z. Gjini, po abstenon thelbësisht nga roli i saj, nën klimën e grindjeve të brendshme për një grusht pushteti. Fatkeqësisht, është plotësisht e defokusuar. Nuk po bën betejë politike me mazhorancën thuajse për asnjë temë të vetme, për ta mbajtur atë përgjegjëse për llogaridhënien dhe transparencën.
Përshtypja publike është se PDK-ja dhe LDK-ja, së paku edhe për një vit, opozitarizmin ndaj Kurtit do ta zëvendësojnë dhe kompensojnë me opozitarizëm brenda radhëve të tyre, nën ndikimin e zgjedhjeve për kryetarë partish.
Megjithatë, nuk jam i sigurt nëse kjo situatë mund të prodhojë shpejt një subjekt të ri, iniciativë apo çfarëdo të ngjashme që mund ta lëkundë pushtetin e Kurtit, së paku edhe për disa vjet.

