Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar përmes një video-deklarate pasi Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj tij, duke kritikuar ashpër Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Peci e ka akuzuar LDK-në për shpifje dhe për ngritjen e një kallëzimi të rremë penal ndaj tij, përmes deputetit, Paris Guri, transmeton lajmi.net.
“Ju LDK-ja jeni në këtë derexhe si parti që funksiononi si një grusht pulash të çakërdisura”, ka deklaruar Peci.
Ai i ka kërkuar Paris Gurit që të dorëzojë mandatin e deputetit, duke pretenduar se ai e ka fituar atë përmes shpifjeve dhe kallëzimit të rremë penal ndaj tij.
Në video-deklaratën e tij, Peci ka përmendur edhe rastin e ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, duke kritikuar atë që e konsideron si mungesë reagimi nga LDK-ja lidhur me këtë çështje.
Reagimi i Pecit vjen pas vendimit të Prokurorisë Speciale për pushimin e hetimeve ndaj tij. Ndërkohë, akuzat e drejtuara ndaj LDK-së dhe Paris Gurit janë pretendime të shprehura nga vetë Peci./lajmi.net/

