Presidenti rus, Vladimir Putin ka zhvendosur konferencën kryesore të politikës së jashtme nga Socchi në Moskë, pasi zyrtarët e sigurisë ngritën shqetësime për zgjerimin e sulmeve ukrainase me dronë me rreze të gjatë.
Takimi katërditor i Klubit të Diskutimit Valdai ishte planifikuar fillimisht në Soçi, por të ftuarit u njoftuan muajin e kaluar se aktiviteti do të mbahet pranë Moskës.
Vendimi vjen pas një serie sulmesh ukrainase në Soçi dhe zona të tjera turistike përgjatë Detit të Zi gjatë verës. Sipas portalit rus “Agentstvo”, sulmet ndaj rafinerive të naftës në rajon janë shoqëruar me të paktën 19 viktima dhe 188 të plagosur që nga fillimi i sezonit turistik në maj. Një rafineri pranë aeroportit ndërkombëtar të Soçit u godit javën e kaluar, duke shkaktuar edhe pezullimin e fluturimeve.
Putini e ka reduktuar ndjeshëm praninë në Socchi. Ai nuk e ka vizituar qytetin që nga konferenca e Valdait në tetor të vitit të kaluar, ndërsa në vitin 2021, para pushtimit të plotë të Ukrainës, kishte qenë atje 24 herë.
Këtë vit, presidenti rus ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në Moskë, Shën Petersburg dhe në rezidencën e tij pranë liqenit Valdai.
Zhvendosja e konferencës sugjeron se Kremlini po i konsideron gjithnjë e më shumë dronët ukrainas me rreze të mesme dhe të gjatë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Putinit. Ukraina ka arritur të godasë objektiva energjetike dhe logjistike thellë brenda Rusisë, përfshirë Novy Urengoy, më shumë se 3000 kilometra larg territorit ukrainas.
Përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës, Putini ka shtuar udhëtimet dhe ka vizituar disa zona në lindje të Uraleve, duke shmangur kryesisht qytetet e Rusisë evropiane që ndodhen brenda rrezes së dronëve ukrainas. Rusia e ka akuzuar më herët Ukrainën edhe për tentativë sulmi ndaj rezidencës së Putinit pranë Valdait, por pa paraqitur prova.
Klubi i Valdait e ka njoftuar takimin e këtij viti pa dhënë detaje për ndryshimin e vendndodhjes. Forumi është një nga platformat kryesore të Kremlinit për politikën e jashtme dhe këtë vit do të trajtojë krizën e institucioneve shumëpalëshe.
Mes pjesëmarrësve pritet të jenë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë, ndërsa Putini tradicionalisht merr pjesë në ditën e fundit për një sesion të gjatë me pyetje dhe përgjigje. /Telegrafi/