Presidenti rus, Vladimir Putin, është pajtuar që bisedimet e paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, të rifillojnë që në muajin e ardhshëm, njoftoi të mërkurën Kremlini.
Njoftimi erdhi pas takimit të Putinit me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, në Shën Petersburg, në kuadër të përpjekjeve të fundit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Takimi, i cili u zhvillua në një pallat historik në Shën Petersburg dhe ishte i nënti mes Putinit dhe Witkoffit, nisi me një gjest vullneti të mirë nga Rusia.
Autoritetet ruse liruan Stephen Hubbardin, një ish-mësues amerikan në pension, lirimin e të cilit presidenti amerikan, Donald Trump, ia kishte kërkuar Putinit.
Takimi u zhvillua në një kohë kur në Kiev dhe mes aleatëve të Ukrainës janë shtuar shqetësimet se Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke u tërhequr nga mbështetja për Ukrainën.
Këto shqetësime lidhen, ndër të tjera, me raste kur Uashingtoni ka kufizuar ndarjen e informacioneve të inteligjencës në kohë reale për sulmet ruse, si dhe me vështirësitë që kanë prekur komunikimet ushtarake të Ukrainës.
Bisedimet e fundit u zhvilluan gjithashtu më shumë se dy vjet pasi Trumpi, gjatë fushatës së tij të suksesshme zgjedhore, kishte premtuar se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve.
Sipas Kremlinit, bisedimet e reja trepalëshe, të cilat pritet të zhvillohen në nivel teknik, mund të mbahen në Abu Dhabi. Ato do të përqendrohen në mënyrat për të garantuar sigurinë e Ukrainës dhe Rusisë pas përfundimit të luftës.
Sipas njoftimit, negociatat mund të nisin më 10 nëntor ose pas kësaj date.
Rundi i fundit i bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja ishte zhvilluar në shkurt, përpara se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të nisnin luftën kundër Iranit.
Megjithatë, Kremlini shprehu më pak optimizëm lidhur me rezultatet e bisedimeve që Witkoff kishte zhvilluar një ditë më herët në Oslo me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, udhëheqësit e Finlandës dhe Norvegjisë, si dhe përfaqësues evropianë dhe të NATO-s.
Witkoff i kishte thënë Putinit se këto takime ishin karakterizuar nga një “farë dinamike pozitive”, ndërsa një zyrtar amerikan kishte deklaruar se pala ukrainase kishte paraqitur ide dhe propozime të reja.
Megjithatë, ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, u shpreh se rezultatet nuk ishin plotësisht të kënaqshme për Moskën.
“Këto nuanca, si të thuash, nuk na kënaqin plotësisht”, u tha Ushakov gazetarëve pas takimit në Shën Petersburg, i cili zgjati gati tri orë.

