ShBA-ja duhet të zmbrapsë dragoin në pragun e derës.
Nga: Emilio T. Gonzalez, oficer i pensionuar i inteligjencës amerikane, i cili ka shërbyer në pozicione të larta në Ushtrinë e ShBA-së, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Departamentin e Sigurisë Kombëtare / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Vizita e presidentit Trump në Kinë në javën e ardhshme, do të jetë vizita e parë nga një president i ShBA-së – që nga udhëtimi i tij i parë në nëntor të vitit 2017. Tregtia dhe marrëdhëniet ekonomike do të jenë në krye të agjendës së takimit, si dhe lufta me Iranin, e ardhmja e Tajvanit dhe mbështetja e vazhdueshme e ShBA-së për Tajpein.
Megjithatë, një çështje kërkon vëmendje të veçantë dhe urgjente: depërtimi në rritje i Kinës në Amerikë dhe kërcënimi që ai paraqet për sigurinë kombëtare.
Nën administratën Biden, politika e ShBA-së ndaj Amerikës Latine vuajti nga neglizhenca strategjike, ndërsa kundërshtarët e Amerikës – Irani, Kuba, Venezuela dhe Kina – fituan ose forcuan pozicionet e tyre në Hemisferën Perëndimore.
Politika e rigjallëruar e Trumpit për ShBA-Amerikën Latine, ka eliminuar në mënyrë efektive tri të parat prej tyre. Vetëm Kina mbetet.
– Lexo po ashtu nga Emilio T. Gonzalez: Spanja, hallka më e dobët e NATO-s
Pushtimi i heshtur i Kinës në Amerikë është i vazhdueshëm, i qëllimshëm dhe strategjik. Tregtia dhe biznesi kaluan në investime të sofistikuara financiare, depërtim në infrastrukturën kritike dhe krijimin e pikave strategjike që sfidojnë drejtpërdrejt ndikimin e ShBA-së dhe stabilitetin rajonal.
Gati dy duzina vendesh të Amerikës Latine janë bashkuar me regjimin e investimeve të nismës Brezi dhe Rruga të Kinës. Pekini ka ndërtuar një arkitekturë paralele financiare në Amerikën Latine që duket se është imune ndaj ndikimit perëndimor dhe është projektuar për të krijuar varësi afatgjate dhe strukturore.
Ajo karakterizohet nga huadhënia që nuk është transparente dhe përdorimi i fondeve multilaterale si instrumente të politikës shtetërore.
Shumë hua kineze, për Amerikën Latine dhe Karaibet, tani janë të mbështetura me mallra, kryesisht me naftë të papërpunuar nga Venezuela dhe Ekuadori, minerale nga Nikaragua, Kili dhe Peruja, si dhe produkte bujqësore nga Brazili. Kina kontrollon rreth 8.5 përqind të territorit të Nikaraguas përmes koncesioneve minerare, ndërsa Venezuela mbetet përherë në borxh ndaj Pekinit. Kjo siguron një rrjedhë të qëndrueshme të naftës së papërpunuar drejt Kinës.
Fokusi i Kinës është zhvendosur nga huat tradicionale për infrastrukturë drejt fushave të teknologjisë së lartë dhe digjitale, duke siguruar kapitalin e nevojshëm për instalimin e inteligjencës artificiale të kontrolluar nga Kina, teknologjive 5G dhe rrjeteve inteligjente të energjisë në të gjithë rajonin. Ky ndikim financiar krijon varësi teknologjike dhe ngulit ndikimin kinez.
Në Brazil, marrëdhëniet lokale shpesh përfshijnë investime të drejtpërdrejta në telekomunikacion dhe në qendra komanduese të mbikëqyrjes që anashkalojnë kontrollet e sigurisë kombëtare. Në disa shtete braziliane, firmat kineze kanë siguruar kontrata për nyjat 5G dhe për sisteme të njohjes së fytyrës – të integruara drejtpërdrejt në departamentet lokale të policisë.
Në Argjentinë, pavarësisht administratës pro-ShBA të Javier Mileit, provincat vazhdojnë të mbajnë marrëveshje të pavarura bashkëpunimi teknik me ndërmarrjet shtetërore kineze. Këto marrëveshje ofrojnë mbulim ligjor për stacionin hapësinor Espacio Lejano në provincën Neuken dhe për interesat kineze në qendrën e propozuar logjistike në Ushuaja – një portë hyrëse drejt Antarktidës.
Këto dy projekte madhore në jug të Argjentinës do të rrethojnë Amerikat nga Atlantiku Jugor dhe nga hapësira. Efekti ka qenë krijimi i zonave kineze jashtë juridiksionit territorial, të cilat qeveria federale e ka të vështirë t’i mbikëqyrë.
Stacioni hapësinor Espacio Lejano, i operuar nga elementët e Ushtrisë Çlirimtare Popullore, është një pikë strategjike në territorin argjentinas e aftë për të gjurmuar satelitët e ShBA-së dhe të aleatëve dhe për të ofruar telemetri për mjetet hipersonike kineze.
Kjo strukturë, që funksionon me privilegje jashtë juridiksionit territorial, ia jep Pekinit një platformë të përhershme të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit mbi Amerikat, duke komprometuar drejtpërdrejt sovranitetin tonë hapësinor.
Ligji kombëtar i inteligjencës i Kinës i vitit 2017 detyron të gjitha firmat kineze të bashkëpunojnë me inteligjencën shtetërore. Kjo do të thotë se të dhënat që kalojnë nëpër këto rrjete, përfshirë komunikimet diplomatike dhe transaksionet tregtare, potencialisht mund t’i nënshtrohen ndërhyrjes së shërbimeve të inteligjencës kineze, duke i lejuar Pekinit të kryejë inteligjencë sinjalesh në kohë reale – në të gjithë rajonin.
Transformatorët me tension të lartë dhe matësit inteligjentë të prodhuar në Kinë po instalohen gjithnjë e më shumë në të gjithë rajonin, shpesh të pajisur me module telemetrie që mund të monitorojnë konsumin industrial të energjisë dhe të identifikojnë nyjat kritike të infrastrukturës. Pekini mund ta përdorë këtë kapacitet të integruar për të ndërmarrë sulme kibernetike-kinetike, duke zhytur kryeqytetet rajonale në errësirë dhe duke ndërprerë mbështetjen logjistike të ShBA-së.
Për më tepër, Pekini po ndërton në mënyrë aktive një rrugë alternative që kërcënon të ridrejtojë tregtinë globale dhe logjistikën ushtarake larg Kanalit të Panamasë, duke minuar kështu çdo avantazh strategjik të ShBA-së.
Lidhja masive hekurudhore “Dy Oqeanet”, që lidh Perunë dhe Brazilin, po planifikohet pavarësisht sfidave mjedisore. Edhe Bolivia ka shprehur interes.
Investimi i madh kinez në projektin e portit Çankai në Peru është shembull i rëndësishëm i kësaj strategjie. Çankai është porti i parë me ujë të thellë në bregdetin Paqësor të Amerikës së Jugut i aftë të përballojë anijet e mëdha [Post-Panamax], duke anashkaluar kështu kanalin e kontrolluar nga ShBA-ja dhe duke krijuar një portë hyrëse – të kontrolluar nga Kina – në Paqësor.
Pekini vepron sipas një afati të qëllimshëm dhe afatgjatë, pa pengesat e proceseve demokratike. Ky depërtim strategjik në Amerikën Latine përbën sfidën më të madhe të sigurisë për Amerikat në më shumë se një shekull.
Shpresoj që këto shqetësime serioze për sigurinë të përcillen personalisht. /Telegrafi/