Dhjetorin e kaluar, FIFA njoftoi se pushimet për hidratim do të ishin të detyrueshme në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës 2026. Duke pasur parasysh kushtet klimatike në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada gjatë muajve qershor dhe korrik, ekzistonte frika se ky mund të ishte Botërori më i nxehtë në histori.
Megjithatë, tani që turneu është në zhvillim, këto pushime janë shndërruar në një nga temat më të diskutuara të Botërorit, me opinione të ndryshme nga trajnerë, futbollistë dhe ekspertë.
Arsyeja është e thjeshtë: një ndeshje e luajtur në temperatura të larta ka të njëjtin pushim treminutësh për hidratim si një ndeshje e zhvilluar në kushte shumë më të favorshme klimatike, si për shembull në Toronto gjatë mbrëmjes, ku temperatura mesatare ishte vetëm 19 gradë Celsius, apo në stadiume me çati të lëvizshme dhe sisteme të kontrollit të klimës, si ato në Houston apo Dallas.
Ndeshje me katër periudha
“Nuk më pëlqen. E kuptoj kur kushtet janë ekstreme, por kur temperaturat janë normale, mendoj se është e panevojshme”, deklaroi përzgjedhësi i Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino.
Edhe mesfushori i Spanjës, Mikel Merino, ndau të njëjtin mendim.
“Në shumë stadiume të mbyllura, ku temperaturat nuk janë problem, loja ndalet pa ndonjë arsye të fortë. Kjo nuk është e mirë për tifozët, sepse ritmi i ndeshjes bie dhe loja bëhet më e parashikueshme”.
“Ndikimi është i madh, pasi trajnerët mund të bëjnë korrigjime taktike dhe të ndryshojnë rrjedhën e ndeshjes. Duhet të përshtatemi me këtë realitet të ri”, tha Merino.
Ndjesia se pushimet për hidratim po shndërrohen gradualisht në “pushime taktike” po bëhet gjithnjë e më e përhapur. Kjo ka nxitur debat edhe për ndikimin që këto ndërprerje kanë në ritmin natyral të futbollit.
Edhe kapiteni i Holandës, Virgil Van Dijk, ka shprehur rezerva.
“Pushimet për hidratim më duken paksa të çuditshme. Kam ndjekur pothuajse çdo ndeshje deri tani dhe sa herë që vjen ky moment transmetimi kalon menjëherë në reklama. Nuk mendoj se kjo është diçka e mirë për shikuesit neutralë në televizion”, deklaroi mbrojtësi holandez.
Debati mes trajnerëve
“Kjo e ndryshon ndjeshëm mënyrën se si punojmë ne trajnerët dhe stafet teknike. Më parë, puna taktike përqendrohej para ndeshjes, gjatë pushimit mes pjesëve dhe pas përfundimit të saj. Tani kemi edhe dy momente të tjera për ndërhyrje taktike”.
“Në njëfarë mënyre, ndeshja ndahet në katër pjesë dhe ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm”, tha përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, shumica e trajnerëve duket se e mbështesin vendimin e FIFA-s.
Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, e konsideron atë të nevojshëm në kushte të caktuara.
“Në kushte ekstreme, kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. Lojtarët kanë nevojë për kohë për t’u rikuperuar. Është e vërtetë se në disa stadiume mund të mos jetë e domosdoshme, por të gjithë kemi parë temperaturat dhe lagështinë me të cilat përballemi çdo ditë. Këto pushime ndihmojnë në rikthimin e energjisë dhe ruajtjen e performancës”, u shpreh ai.
Një shembull konkret dha edhe përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, i cili pranoi se pushimi për hidratim luajti rol të rëndësishëm gjatë ndeshjes ndaj Curaçaos, kur rezultati ishte 1-1.
“Na duhej pak kohë për të reaguar. Pushimi për hidratim na dha mundësinë të rishikonim disa nga udhëzimet taktike që kishim diskutuar më herët dhe të korrigjonim disa detaje në lojë”, tha Nagelsmann./Telegrafi/
