Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të realizojnë punime të planifikuara në disa lokacione në Mitrovicë, me qëllim të përmirësimit të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Sipas njoftimit, ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit do të kryhen në rrugët “Dëshmorët e Kombit”, “Lagja Korriku”, “Sherif Jusufi” dhe “Liqeni”, si dhe në fshatrat Rahovë, Lushtë e Shupkofc, përfshirë edhe zonën e Parkut të Qytetit.
Ndërsa, punime në rrjetin e kanalizimit do të zhvillohen në rrugët “11 Marsi”, “Xheladin Kutllofci”, “Xheladin Voca”, “Muzeu”, si dhe në rrugën “17 Shkurti” në Skenderaj.
Nga kompania bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të punimeve në rrjetin e ujësjellësit mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në zonat e prekura.
Po ashtu, pas rikthimit të furnizimit, si pasojë e ndërhyrjeve teknike, mund të shfaqet turbullirë e përkohshme e ujit. Konsumatorëve u rekomandohet që, nëse vërejnë ujë të turbullt, ta lënë rubinetin të rrjedhë për disa minuta derisa uji të kthjellohet plotësisht.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë realizimit të këtyre punimeve, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. /Telegrafi/
