Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, sërish ka kritikuar ekzekutivin e vendit sa i përket deklaratave rreth punësimit të mjekëve që janë kthyer për të punuar në Kosovë.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka akuzuar qeveritarët se nuk po dinë ta bëjnë dallimin mes licencimit dhe punësimit të mjekëve në sistemin publik shëndetësor.
“Një qeveri që nuk bën dallimin ndërmjet licencimit dhe punësimit të mjekëve në sistemin publik shëndetësor, po përpiqet ta paraqesë një proces administrativ si rezultat të punësimit. Çfarë të themi!!! Praktikantë të përhershëm në premtime, por premtimet nuk janë rezultate.”, ka shkruar ai.
Sipas tij, realiteti është krejt ndryshe.
“534 mjekë figurojnë të papunë në Kosovë. 91 mjekë specialistë janë të papunë. Ndërsa, sa u përket mjekëve të kthyer nga jashtë dhe të punësuar me kontrata të rregullta në institucionet publike shëndetësore gjatë qeverisjes së VV-së, jo 171, por as një numër dyshifror nuk po arrijnë ta dëshmojnë.”, ka thënë ai. /Klankosova.tv

