Pas disa ditësh përplasjesh publike, është publikuar një incizim audio i një bisede telefonike mes liderit të SNSD-së, Milorad Dodik, dhe kryetarit të SDA-së, Bakir Izetbegoviq. Biseda është e mbushur me fjalë të rënda, akuza dhe provokime, duke ardhur pas një serie deklaratash të ashpra mes dy politikanëve.
Në incizimin e publikuar nga “Srpski glasnik”, dëgjohet se Dodik e nis bisedën me një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me “kërcënimet me forcë” dhe pretendimet se ka informacione që “muxhahedinët duan ta eliminojnë”, duke e pyetur Izetbegoviqin nëse ai qëndron pas këtyre pretendimeve.
Izetbegoviq i hedh poshtë këto akuza duke i quajtur “budallallëqe”, duke sqaruar se kur ka folur për “forcë”, ai i është referuar vetëm drejtësisë, e cila sipas tij duhet të ndalojë politikën destruktive të Dodikut gjatë dy dekadave të fundit.
Gjatë bisedës shkëmbehen akuza për “blerjen e deputetëve”, afrimin me qendrat e huaja të fuqisë, gjendjen në entitete dhe interpretimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
Në një moment, Izetbegoviq e quan Dodikun “dëmtues” që udhëheq një “politikë hajdutësh” dhe që, sipas tij, po i shkakton dëm popullit të vet. Dodik i përgjigjet duke e quajtur Izetbegoviqin “idiot të dobishëm” për serbët dhe duke thënë se askush nuk do ta prekë atë.
– YouTube youtu.be
Ajo që tërheq veçanërisht vëmendjen në këtë incizim është mënyra dhe toni i komunikimit. Sipas analizës së bisedës, duket se Dodik, përmes mënyrës së formulimit të fjalive dhe zgjedhjes së fjalëve, i drejtohej më shumë elektoratit të tij sesa vetë Izetbegoviqit.
Biseda nga ana e Dodikut ishte ndërtuar në atë mënyrë që të tingëllonte si mbrojtje e interesave të Republikës Srpska përballë “kërcënimeve nga Sarajeva”, një narrativë që shpesh përdoret për të fituar mbështetje politike brenda elektoratit të tij.
Përplasja nisi pas një paraqitjeje të Izetbegoviqit në televizionin federal të Bosnjë-Hercegovinës (FTV) dy ditë më parë. Duke folur për krizën politike, ai deklaroi se çështja e pozitës së Milorad Dodikut në fund do të duhet të zgjidhet me “një lloj force”, duke iu referuar qartë reagimit të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.
“Drejtësia dhe komuniteti ndërkombëtar në fund do të duhet të zbatojnë ligjet, Marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës. Pa sundimin e ligjit, i cili duhet të vlejë për çdo individ, përfshirë edhe Dodikun, ky vend nuk do të ecë përpara”, kishte deklaruar Izetbegoviq.
Ai kishte shtuar se shpreson që edhe qytetarët në Republikën Serbe ta kuptojnë këtë dhe se Dodiku një ditë do të largohet nga politika, ashtu siç, sipas tij, është larguar kryeministri hungarez Viktor Orban.
Kjo deklaratë duket se e ka zemëruar Dodikun, i cili më pas publikoi disa reagime në rrjetet sociale, duke thënë se “Bakiri, nga frika, është trimëruar të kërcënojë”. Pas kësaj, Dodik vendosi ta telefonojë personalisht Izetbegoviqin, ndërsa biseda u zhvillua një ditë më parë. /Telegrafi/
