Paris Saint-Germaini ka bërë një tjetër lëvizje konkrete për të mësuar mundësinë e transferimit të sulmuesit argjentinas, Julian Alvarez, nga Atletico Madridi.
Sipas raportimeve të TEAMtalk, kampionët e Evropës kanë kontaktuar sërish përfaqësuesit e klubit madrilen, teksa po kërkojnë me ngulm përforcime në repartin ofensiv përpara hapjes së afatit kalimtar të janarit, transmeton IndeksOnline.
Në garë për 25-vjeçarin është edhe Arsenali, i cili prej kohësh e përcjell me kujdes situatën e tij dhe mbetet seriozisht i interesuar për shërbimet e ish-sulmuesit të Manchester Cityt.
Pavarësisht interesimit të madh, Atletico Madridi nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e Alvarezit gjatë janarit, ndërsa as vetë futbollisti nuk po kërkon largimin nga kryeqyteti spanjoll.
Trajneri Diego Simeone e konsideron argjentinasin të paprekshëm, sidomos pas formës së shkëlqyer që po kalon së fundmi ku në 10 paraqitjet e fundit ka realizuar gjashtë gola dhe ka dhuruar katër asistime.
Kështu, një lëvizje në janar duket thuajse e pamundur, ndërsa interesimi i PSG-së dhe Arsenalit pritet ta rikthejë fuqishëm emrin e Alvarezit në qendër të merkatos verore./IndeksOnline/

