Dhimbja e barkut para nisjes për në shkollë nuk është gjithmonë shenjë e problemeve me tretjen. Te shumë fëmijë, ajo mund të lidhet me stresin, ankthin ose pasigurinë emocionale
“Mami, më dhemb barku, nuk mund të shkoj në shkollë”, është një fjali që shumë prindër e dëgjojnë në mes të nxitimit të mëngjesit.
Disa prindër shqetësohen menjëherë, duke menduar për probleme me tretjen ose për diçka që fëmija ka ngrënë. Të tjerë mund të dyshojnë se bëhet fjalë për një arsyetim për të shmangur detyrimet shkollore. Megjithatë, është e rëndësishme të dihet se shkaku i dhimbjes së barkut te fëmijët shpesh nuk është fizik, por emocional.
Howard Schubiner, profesor i mjekësisë klinike në Fakultetin e Mjekësisë të Michigan State University, shpjegon se fëmijët që ankohen për dhimbje para shkollës shpesh reagojnë ndaj stresit emocional.
“Kur një fëmijë ankohet për dhimbje barku para shkollës, ka shumë mundësi që të mos bëhet fjalë për një problem fizik. Më e mundshme është që në jetën e tij të ketë diçka që e bën të ndihet i pasigurt”, ka thënë ai në një podcast të publikuar së fundmi në YouTube.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se fëmija po e sajon dhimbjen ose po shtiret. Lidhja mes emocioneve dhe ndjesive fizike është e vërtetuar shkencërisht, thekson Schubiner.
“Kemi imazhe fMRI të trurit që tregojnë se stresi dhe emocionet janë ngushtë të lidhura me dhimbjen. Do të thosha se mjekësia është shumë e vetëdijshme se stresi te fëmijët mund të shkaktojë dhimbje”, ka shtuar ai, transmeton Telegrafi.
Shkaqet e mundshme të stresit
Fëmijët më të vegjël shpesh nuk dinë ta shprehin me fjalë atë që i shqetëson, prandaj ankthi i tyre mund të shfaqet përmes trupit.
Nëse fëmija ankohet rregullisht për dhimbje barku para shkollës, arsyeja mund të jetë ankthi për testet, detyrat e shtëpisë ose frika nga ndonjë mësues. Ndonjëherë fëmijët ndihen të vetmuar ose kanë vështirësi në krijimin e shoqërive, gjë që u shkakton stres të cilin nuk arrijnë ta përshkruajnë qartë.
Disa fëmijë frikësohen nga dështimi dhe i vendosin vetes presion të madh për të qenë më të mirët, duke u shqetësuar se nuk janë “mjaftueshëm të mirë”.
Dhimbjet e barkut mund të jenë edhe shenjë se fëmija po përjeton përvoja të pakëndshme ose ngacmim, për të cilat ka frikë të flasë.
Çfarë mund të bëjnë prindërit
Gabimi më i madh që mund të bëjnë prindërit është t’i shpërfillin ankesat e fëmijës, sidomos nëse ato përsëriten. Pikërisht përsëritja e rregullt është shenjë se duhet kërkuar shkaku i vërtetë i problemit.
Edhe pse nuk duhet përjashtuar mundësia e shqetësimeve fizike, prindërit mund të përpiqen ta nisin bisedën me fëmijën në mënyrë të qetë dhe të butë.
Pyeteni nëse ka diçka që e shqetëson ose nëse në shkollë ka ndodhur diçka e pakëndshme. Mund të jetë e dobishme edhe të kontaktoni mësuesit, për të kuptuar më mirë se çfarë mund ta mundojë fëmijën.
Dhimbja e barkut para shkollës, pra, nuk është gjithmonë vetëm problem me barkun. Shpesh ajo është një sinjal i heshtur se fëmija ka nevojë për mirëkuptim, mbështetje dhe ndihmë për t’i shprehur ndjenjat e veta. /Telegrafi/
