KORREKT / SOT28 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Pse Elon Musk dëshiron të vendosë një milion qendra të dhënash satelitore në hapësirë?

Pse Elon Musk dëshiron të vendosë një milion qendra të dhënash satelitore në hapësirë?

Plani i themeluesit të SpaceX dhe miliarderit Elon Musk për të lëshuar një milion satelitë u miratua këtë javë nga Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur debatet rreth qendrave të të dhënave – të nevojshme për të nxitur revolucionin e inteligjencës artificiale (IA) – kanë çuar në një kërkim të ethshëm për vendndodhje alternative.

Të mërkurën, Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) i SHBA-së e miratoi planin, të quajtur “Starmind”, duke deklaruar se ky është një rast i paprecedentë në historinë e vendit.

“Në këtë moment vendimtar për zhvillimin e super-inteligjencës [inteligjencës artificiale] në Amerikë, FCC po i jep SpaceX autorizimin për të vendosur 1.000.000 module kompjuterike orbitale, të cilat do të përpunojnë sasi të mëdha të dhënash që do të përdoren më pas këtu në Tokë”, thuhet në deklaratën e FCC-së, të publikuar në platformën X nga kryetari Brendan Carr.

Carr u shpreh se, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, SHBA-ja po “vepron me vendosmëri për të siguruar që kjo teknologji novatore të krijojë mundësi, të nxisë investime dhe të sjellë përfitime për popullin amerikan”.

“Ky është lloji i zgjuarsisë amerikane që mund të bashkojë forcat tona në hapësirë dhe në teknologjinë e avancuar, të forcojë lidershipin tonë ekonomik dhe të zgjerojë prosperitetin këtu në vend”, tha ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ja gjithçka që dimë rreth planit për të dërguar një milion satelitë në hapësirë:

Cili është plani i Musk-ut?

Duke qenë se qendrat e të dhënave përbëjnë shtyllën kurrizore thelbësore për përpunimin e inteligjencës artificiale – dhe duke marrë parasysh rritjen e shpejtë të kërkesës për këtë lloj softueri – plani i Musk-ut ofron një alternativë: përdorimin e diellit si burim energjie për to.

Sipas SpaceX, kompanisë që prodhon raketa dhe anije kozmike, projekti i ri funksionon përmes “satelitëve me kapacitete kompjuterike të inteligjencës artificiale të integruara, ku rezultatet transmetohen nga një orbitë sinkrone me diellin, e cila mundëson vonesë minimale (low-latency) në komunikim”.

SpaceX pretendon se kjo është “mënyra më e shpejtë për t’u zgjeruar, duke pasur parasysh vështirësitë në rritje për gjetjen e burimeve të energjisë elektrike në Tokë”.

Në faqen e saj të internetit, SpaceX e përshkruan planin si një zgjidhje “me kosto të ulët dhe performancë të lartë”.

Megjithatë, kompania e Musk-ut ka tashmë satelitë në hapësirë; “Starmind” thjesht pritet t’i shtohet këtij konstelacioni ekzistues.

Sipas SatFleet Live, e cila gjurmon satelitët në kohë reale, aktualisht në orbitë ndodhen 16.928 satelitë aktivë.

Nga ky numër, 11.190 (66 për qind) janë satelitë të SpaceX Starlink, divizioni i internetit i kësaj kompanie.

Sipas licencës së dhënë nga FCC (Komisioni Federal i Komunikimeve), SpaceX duhet të fillojë vendosjen e qendrave të të dhënave satelitore jo më vonë se nëntori i vitit 2033; të dërgojë 10 për qind të numrit maksimal (që është 100.000) deri në nëntor të vitit 2035; të vendosë 50 për qind të tyre në hapësirë deri në nëntor të vitit 2038, dhe të gjithë konstelacionin deri në vitin 2040.

Pse dëshiron Musk t’i dërgojë ato në hapësirë dhe cili është përfitimi?

Ndërsa inteligjenca artificiale (AI) zgjerohet me shpejtësi, rritet edhe nevoja për qendra të dhënash.

Mirëpo, qendrat e të dhënave kërkojnë sipërfaqe të mëdha toke, konsumojnë sasi të mëdha uji dhe energjie, si dhe gjenerojnë tonelata emetimesh nga lëndët djegëse fosile.

Ato prodhojnë nxehtësi të madhe, ndërsa sistemet e ftohjes kërkojnë sasi të konsiderueshme uji për të mbajtur teknologjinë në punë.

Kjo krijon presion mbi rezervat ujore dhe komunitetet që përballen me thatësirë, veçanërisht në një kohë kur ndryshimet klimatike po çojnë në rritjen e temperaturave globale.

Sipas një artikulli të botuar nga “Environmental and Energy Study Institute” – një organizatë jofitimprurëse në SHBA – në vitin 2025, “qendrat e mëdha të të dhënave mund të konsumojnë deri në 5 milionë galone ujë në ditë, sasi e barabartë me konsumin e ujit të një qyteti me 10.000 deri në 50.000 banorë”.

Këto shqetësime kanë nxitur protesta masive kundër qendrave të të dhënave, nga SHBA-ja e deri në Kenia e Indi.

Sipas të dhënave nga sondazhet, kundërshtimi i gjerë ndaj këtyre qendrave ishte një çështje kyçe për shumë votues në zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA, të zhvilluara më herët gjatë këtij muaji.

Në korrik, protestuesit që kundërshtojnë zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave organizuan 142 protesta në 42 shtete, si pjesë e një lëvizjeje mbarëkombëtare kundër zgjerimit të infrastrukturës për inteligjencën artificiale.

Qendrat e të dhënave të bazuara në satelitë nuk përballen me kufizime të ngjashme lidhur me tokën dhe, në teori, mund të shfrytëzojnë energjinë diellore – siç parashikohet në planin e SpaceX – për të mundësuar përpunimin e të dhënave.

Por ftohja në hapësirë mbetet një sfidë: ndryshe nga Toka, aty nuk ka ajër apo ujë, ndaj nxehtësia e çliruar nuk mund të largohet përmes përçimit (konduksionit) ose konvekcionit.

A ka pasur kundërshtime ndaj këtij plani?

Po.

Astronomët dhe ambientalistët e kanë kritikuar planin, duke thënë se ai do të shtojë ndotjen e qiellit, gjë që e bën më të vështirë vëzhgimin e qiellit të natës.

Të mërkurën, Shoqata Amerikane e Astronomisë (AAS) deklaroi se ndihet “e dëshpëruar dhe e tronditur” nga miratimi i planit prej Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC).

“Siç e ka theksuar AAS në dokumentet e mëparshme të dorëzuara pranë FCC-së, konstelacioni i propozuar do të dëmtonte ndjeshëm: (i) dekada të tëra investimesh federale në infrastrukturën astronomike dhe (ii) mundësinë e astronomëve dhe të publikut për të shijuar e studiuar qiellin e natës”, thuhej në deklaratë.

“AAS është thellësisht e shqetësuar për të ardhmen e kërkimeve astronomike të financuara nga qeveria federale, në kushtet e një qielli nate që ka ndryshuar rrënjësisht, si dhe për humbjen e pashmangshme të fondeve të taksapaguesve – të investuara në objekte astronomike anembanë vendit dhe botës – që vjen si pasojë e kësaj”, thuhet në deklaratë.

“Ndonëse shpresojmë se SpaceX do të vazhdojë të bashkërendojë veprimet me Fondacionin Kombëtar të Shkencës (National Science Foundation), mbetemi të shqetësuar nga mungesa e kërkesave për koordinim zyrtar në licencën që i është dhënë SpaceX-it në këtë rast”. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.