KORREKT / SOT13 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Pse çmimet e karburantit në Zvicër nuk do të bien menjëherë

Pse çmimet e karburantit në Zvicër nuk do të bien menjëherë

Pavarësisht stabilizimit të furnizimit me naftë dhe rifillimit të qarkullimit të cisternave në Ngushticën e Hormuzit, çmimet e karburantit në Zvicër mbeten të pandryshuara. Kapaciteti i kufizuar i rafinerive dhe kostot e larta të transportit po pengojnë uljen e çmimeve në pompa.

Anijet cisternë të naftës kanë rifilluar kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Megjithatë, numri i tranziteve mbetet 30 deri në 40 për qind më i ulët se para luftës, ndërsa tregjet e naftës vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, raporton SRF.

Rihapja e ngushticës deri më tani ka pasur pak ndikim në çmimin e naftës, i cili që nga fillimi i shtatorit ka mbetur pak nën 100 dollarë për fuçi, transmeton Telegrafi. Edhe pse furnizimi po stabilizohet, vëllimet e eksportit vazhdojnë të luhaten.

Ulja e çmimit të naftës nuk reflektohet menjëherë te benzina

Marcelo Olarreaga, profesor i ekonomisë në Universitetin e Gjenevës, ka shpjeguar për transmetuesin publik zviceran RTS se duhet kohë që ndryshimet në tregun e naftës të reflektohen në çmimin e benzinës.

“Në Zvicër, dhe gjetkë gjithashtu, duhet më shumë kohë që tronditjet në tregun e naftës të ndikojnë në çmimin e benzinës”, ka deklaruar Olarreaga, duke theksuar se kjo vlen veçanërisht kur çmimi i naftës bie.

Kapaciteti i rafinerive ndikon në çmimet në pompa

Një faktor tjetër përcaktues është kapaciteti i rafinimit të naftës, sipas Moreno Volpit, anëtar i bordit drejtues të Klubit Turistik të Zvicrës (TCS).

Ai ka përmendur rastin e rafinerisë Cressier, e vetmja rafineri në Zvicër, e cila u mbyll për dy javë. Gjatë kësaj periudhe, çmimet në pompa u rritën menjëherë, pasi kapaciteti i rafinimit ishte i kufizuar, ndërsa kërkesa mbeti e lartë pavarësisht furnizimit të reduktuar.

Nivelet e ulëta të Rinit rrisin kostot e transportit

Një tjetër pengesë për uljen e çmimeve është shtrenjtimi i transportit të karburantit.

Lumi Rajn, përmes të cilit transportohet rreth gjysma e karburantit të destinuar për transportin rrugor në Zvicër, ka shënuar nivele historikisht të ulëta të ujit. Si pasojë, anijet mund të transportojnë sasi më të vogla të ngarkesave, duke rritur kostot e transportit.

Sipas Moreno Volpit nga TCS, rritja e nivelit të ujit të Rinit është kusht për rënien e çmimeve të karburantit në pompat zvicerane.

Për këtë arsye, stabilizimi i furnizimit me naftë nuk pritet të sjellë menjëherë çmime më të ulëta të benzinës në Zvicër./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.