Hulumtimi i ri tregon se me kalimin e viteve trupi mund të aktivizojë qeliza që krijojnë yndyrë të re, veçanërisht në zonën e barkut
Beli mund të zgjerohet me kalimin e viteve edhe kur numri në peshore nuk ndryshon dukshëm. Një hulumtim i ri tregon se arsyeja nuk lidhet vetëm me ushqimin apo mungesën e aktivitetit fizik, por edhe me ndryshime që ndodhin brenda vetë qelizave.
Pse beli zgjerohet me moshën është një pyetje që shqetëson shumë njerëz, madje edhe ata që nuk shtojnë ndjeshëm në peshë. Një studim i ri i institutit amerikan City of Hope ofron një përgjigje të mundshme. Sipas studiuesve, rol kyç kanë disa qeliza burimore specifike, të cilat aktivizohen me plakjen dhe nxisin krijimin e qelizave të reja yndyrore, veçanërisht në zonën e barkut.
Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore Science dhe tregojnë se grumbullimi i yndyrës në zonën e barkut nuk është vetëm problem estetik.
Sipas hulumtimit, ky grumbullim lidhet me rrezik më të lartë për diabet të tipit 2, sëmundje kardiovaskulare, metabolizëm më të ngadalshëm dhe plakje më të përshpejtuar. Megjithatë, deri më tani nuk ka qenë plotësisht e qartë pse yndyra me kalimin e viteve përqendrohet pikërisht në këtë pjesë të trupit, transmeton Telegrafi.
Trupi me kalimin e viteve nis të krijojë qeliza të reja yndyrore
Studimi i ri vë në pikëpyetje supozimet e deritanishme. Në vend që qelizat ekzistuese yndyrore vetëm të zmadhohen, shkencëtarët kanë zbuluar se trupi me moshën nis të krijojë një numër të madh qelizash të reja yndyrore. Në qendër të këtij procesi janë të ashtuquajturat qeliza pararendëse adipocitare, të njohura si APC.
Siç raporton Science Daily, eksperimentet te minjtë kanë treguar se qelizat APC nga individët më të vjetër, të vendosura në një organizëm të ri, krijojnë shumë më tepër qeliza të reja yndyrore sesa qelizat e reja në një organizëm më të vjetër. Kjo sugjeron se aftësia për të krijuar yndyrë është e lidhur me vetë qelizat.
“Ndërsa shumica e qelizave burimore te të rriturit e humbin me kalimin e viteve aftësinë për rritje, te qelizat APC ndodh e kundërta: plakja i aktivizon këto qeliza dhe i forcon aftësitë e tyre”, ka deklaruar Adolfo Garcia-Ocana, drejtues i Departamentit për endokrinologji molekulare dhe qelizore në institutin City of Hope.
“Sipas nesh, ky është dëshmia e parë se barku zgjerohet me kalimin e viteve për shkak të krijimit të shtuar të qelizave të reja yndyrore, të ndërmjetësuar nga APC-të”, shtoi ai.
Analiza e mëtejshme zbuloi edhe një element tjetër të rëndësishëm. Duke përdorur metodën e sekuencimit të ARN-së në qeliza të veçanta, shkencëtarët identifikuan një lloj të ri qelizash, të quajtura CP-A, të cilat shfaqen vetëm në moshën e mesme dhe prodhojnë jashtëzakonisht me efikasitet qeliza të reja yndyrore.
Gjetjet nuk kufizohen vetëm te modelet shtazore. Analiza e indit njerëzor tregoi praninë e qelizave shumë të ngjashme me tipin CP-A, madje në numër më të madh te personat e moshës së mesme. Edhe këto qeliza tregojnë aftësi të theksuar për krijimin e qelizave të reja yndyrore.
“Rezultatet tona theksojnë rëndësinë e kontrollit të krijimit të qelizave të reja yndyrore në luftën kundër mbipeshës së lidhur me plakjen”, ka theksuar Qiong “Annabel” Wang, autore korresponduese e studimit.
Ajo shtoi se kuptimi i rolit të qelizave CP-A dhe mekanizmave të krijimit të tyre mund të hapë rrugën për zhvillimin e terapive të reja që synojnë uljen e yndyrës abdominale dhe përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm.
Studiuesit planifikojnë studime të tjera për të ndjekur sjelljen e qelizave CP-A, për të përcaktuar rolin e tyre në organizmin e njeriut dhe për të zhvilluar metoda për bllokimin ose largimin e tyre. Autorët e parë të studimit janë Guan Wang nga instituti City of Hope dhe Gaoyan Li nga Universiteti UCLA. /Telegrafi/
