Protestat e nxënësve në Francë janë përshkallëzuar, duke detyruar autoritetet të pezullojnë plotësisht ose pjesërisht mësimin në 400 deri në 500 shkolla të mesme. Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se situata e sigurisë nuk i lejon institucionet të funksionojnë normalisht në një pjesë të madhe të vendit.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, tha se numri i shkollave të prekura pritet të jetë i ngjashëm me atë të së premtes, kur mësimi u pezullua në 400 deri në 500 institucione. Sipas tij, rikthimi në mësim do të bëhet gradualisht dhe pjesërisht aty ku kushtet e sigurisë e lejojnë.
Situata është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit, me protesta në qytete të ndryshme, bllokime të shkollave, djegie të kazanëve të mbeturinave dhe përplasje mes nxënësve dhe policisë. Në disa raste janë dëmtuar edhe ndërtesa shkollore dhe hapësira publike.
Nga 735 shkolla të prekura nga protestat, 24 janë “djegur ose vandalizuar”, sipas ministrit Geffray. Ndërkohë, 78 punonjës të arsimit janë plagosur që nga fillimi i protestave, transmeton Telegrafi.
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se trazirat kanë çuar në më shumë se 5 mijë arrestime që nga fillimi i javës së kaluar. Policia ka përdorur gaz lotsjellës, shkopinj dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmave në rastet kur protestat kanë kaluar në dhunë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, ka mbrojtur veprimet e forcave të sigurisë dhe ka mohuar se reagimi i policisë ka qenë joproporcional.
Sipas tij, policia nuk po “shtyp të rinjtë”, por po mbron nxënësit që dëshirojnë t’i paraqesin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore. Ai paralajmëroi ndërhyrje të shpejta dhe të forta ndaj akteve të dhunës, dëmtimeve dhe vandalizmit.
Nuñez ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se policia po synon në mënyrë të veçantë të rinjtë nga lagjet e varfra, duke e cilësuar këtë si një interpretim të shkëputur nga realiteti.
Lëvizja nisi rreth dy javë më parë në shkollën e mesme Saint-Exupéry në Créteil, në periferi të Parisit, fillimisht në mbështetje të mësuesve që protestonin për mungesën e stafit dhe burimeve.
Më pas, protestat u përhapën në mbarë Francën. Nxënësit kërkojnë përmirësimin e kushteve në shkolla, më shumë staf, klasa më pak të mbipopulluara dhe ndërtesa më të sigurta e më të përshtatshme.
Ata ankohen gjithashtu për orare të ngarkuara dhe mungesën e mësuesve zëvendësues kur pedagogët mungojnë. Një pjesë e nxënësve kundërshton edhe ndalimin e telefonave celularë në shkolla.
Të premten, Geffray u takua me përfaqësues të nxënësve, por pas takimit ata thanë se nuk kishin marrë “masa konkrete” dhe bënë thirrje për vazhdimin e protestave.
Sindikatat e mësuesve kanë njoftuar se do t’i bashkohen mobilizimit të nxënësve të martën. Ato i kanë cilësuar kërkesat e të rinjve si legjitime dhe kanë thënë se ato përputhen me shqetësimet e vetë mësuesve për mungesën e burimeve në sistemin arsimor.
Sindikatat kanë kritikuar gjithashtu përgjigjen e qeverisë, duke argumentuar se ajo është përqendruar kryesisht te ndërhyrja e forcave të sigurisë.
Protestat janë shoqëruar edhe me disa incidente serioze. Në Tours, një i ri i plagosur gjatë përplasjeve mes nxënësve dhe policisë ka humbur shikimin në syrin e djathtë, sipas prokurorisë lokale.
Në La Ciotat, në jug të Francës, një mësues 59-vjeçar u godit dhe iu hodh benzinë gjatë një demonstrate. Një 16-vjeçar, i dyshuar për sulmin, u arrestua në Marsejë.
Edhe policia është vënë në shënjestër. Në Belfort, një oficer u ndoq dhe u godit disa herë nga një grup të rinjsh, ndërsa dy persona u ndaluan lidhur me incidentin.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Le Parisien, qeveria franceze po shqyrton përshpejtimin e projektligjit të njohur si “casseurs-payeurs”, i cili synon që personat e përfshirë në tubime të dhunshme të kontribuojnë në kostot e dëmeve, edhe kur nuk janë drejtpërdrejt autorët e tyre.
Protestat pritet të vazhdojnë të martën, kur është paralajmëruar një tjetër ditë e gjerë mobilizimi në të gjithë Francën. /Telegrafi/