Pesë zyrtarë të Policisë së Shtetit në Shqipëri janë pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje, ku shihet një 19-vjeçar i lënduar në këmbë teksa shoqërohet nga policët pranë Parlamentit, gjatë protestës së së martës në Tiranë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të katër punonjësve të policisë dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K.Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas publikimit të pamjeve të 19-vjeçarit me inicialet L. B., i cili ishte dëmtuar në këmbë dhe po shoqërohej nga punonjësit e policisë për t’u dërguar në spital.
Policia ka bërë të ditur se kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga zyrtarët policorë.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor ndaj pesë zyrtarëve të pezulluar.
Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm për të analizuar veprimet e punonjësve të policisë gjatë gjithë protestës, nga fillimi deri në përfundim të saj.
“Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit ka dënuar edhe aktet e dhunës gjatë protestës në kryeqytetin shqiptar, duke theksuar se dëmtimi, shkatërrimi dhe djegia e pronës nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë.
“Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë”, thuhet në njoftim.
Përmes njoftimit për media, Policia shqiptare u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune t’i ndërpresin menjëherë veprimet e tyre, duke paralajmëruar se do të përballen me ligjin.
Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar të distancohen nga personat që ushtrojnë dhunë, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.

