Harvey Weinstein nuk do të përballet me një gjyq të katërt për përdhunim në New York, pasi prokuroria e Manhattanit ka hequr dorë nga akuza e fundit që rëndonte ndaj tij.
Vendimi u mor pasi Jessica Mann, e cila e akuzon Weinstein për përdhunim dhe ka dëshmuar në tri proceset e mëparshme gjyqësore, refuzoi të rikthehej në gjykatë për të dëshmuar sërish.
Prokurori i Manhattanit, Alvin Bragg, deklaroi se zyra e tij vazhdon t’i besojë dëshmisë së Mann dhe e falënderoi atë për guximin e treguar gjatë viteve.
Harvey Weinstein
Weinstein ishte dënuar fillimisht në vitin 2020 për përdhunimin e Mann dhe sulm seksual ndaj Miriam Haley, por këto vendime u rrëzuan nga Gjykata e Apelit e New Yorkut në vitin 2024.
Në rigjykimin e zhvilluar më pas, ai u shpall fajtor për sulm seksual ndaj Haley, ndërsa juria nuk arriti një vendim unanim për akuzën e përdhunimit.
Tashmë producenti i dikurshëm i Hollywood-it pritet të dënohet për veprën penale të sulmit seksual ndaj Haley, me prokurorinë që ka rekomanduar një dënim prej 20 vitesh burg.
Përveç këtij rasti, Weinstein është dënuar edhe në Kaliforni për përdhunim dhe sulm seksual, akuza të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht. /Telegrafi/
