Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar për veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet A.D. dhe L.D. janë paraqitur në Policinë e Kosovës, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti lidhet me një ngjarje të ndodhur më 23 mars 2026 në Prishtinë, ku i dëmtuar ka qenë një zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
“Gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e bazuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ka zhvilluar hetime intensive për të sqaruar rrethanat e rastit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sigurimin e provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Prokurori i Shtetit është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje”, thuhet më tej.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka deklaruar se do të vazhdojë veprimet në kuadër të përgjegjësive ligjore për ndjekjen penale të personave të dyshuar për shkelje të ligjit. /Telegrafi/
