Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një aksion kundër trafikimit të narkotikëve, gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona dhe janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Detajet e aksionit, i cili është zhvilluar mbrëmjen e së martës, i ka bërë të ditura në një konferencë për media ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca.
Ai ka njoftuar se dy nga pesë të arrestuarit janë shtetas të huaj.
Paca ka bërë të ditur se aksioni është rezultat i një hetimi të nisur së fundmi, bazuar në informacione të siguruara nga AKI.
“Ky aksion është rezultat i një hetimi të filluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI. Falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, hetimi është konkretizuar me këtë rezultat brenda një afati rekord”, ka deklaruar Paca.
Ai ka falënderuar të gjitha institucionet dhe zyrtarët e përfshirë në aksion, duke vlerësuar se ruajtja e konfidencialitetit të hetimit ka qenë vendimtare për suksesin e operacionit.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit ka theksuar se Prokuroria Speciale do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, pavarësisht se kush qëndron prapa këtyre aktiviteteve.
“Prokurorët dhe hetuesit do të kenë mbështetjen time të plotë për zbatimin e ligjit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, ka thënë ai.
Duke qenë se rasti ndodhet ende në fazën fillestare të hetimit, Paca ka kërkuar kujdes në publikimin e informacioneve që mund të ndikojnë në zhvillimin e mëtejmë të hetimeve.
Ai ka bërë thirrje që komunikimi publik për këtë rast të jetë i koordinuar, në mënyrë që të mos cenohen hetimet dhe veprimet e tjera që mund të ndërmerren në vijim.

