KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Procedurat e fragmentuara po ua vështirësojnë qytetarëve investimin në energji të ripërtëritshme

Procedurat e fragmentuara po ua vështirësojnë qytetarëve investimin në energji të ripërtëritshme

Procedurat e fragmentuara, paqartësitë në dokumentacion dhe mungesa e një mekanizmi të vetëm për aplikim po ua vështirësojnë qytetarëve dhe bizneseve të vogla investimin në energji të ripërtëritshme në Kosovë. Ndërkaq, gati gjysma e aplikuesve për mbështetje në këtë fushë i konsiderojnë procedurat administrative disi ose shumë të vështira, sipas të gjeturave të prezantuara nga Lëvizja FOL dhe Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D).

Këto gjetje u prezantuan në kuadër të analizës ligjore “Hartëzimi i Legjislacionit dhe Procedurave të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë” dhe raportit “Qasja në Tranzicionin e Gjelbër: Çfarë thonë Qytetarët për Mbështetjen e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë?”.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se Kosova ka një bazë të fortë ligjore për energjinë e ripërtëritshme, por zbatimi i saj shoqërohet me pengesa administrative dhe procedura të shpërndara në disa institucione.

“Pyetja jonë ishte e thjeshtë: a mund t’i shfrytëzojë qytetari këto mundësi në mënyrë të qartë, të parashikueshme dhe proporcionale? Ajo çfarë u evidentua është se Kosova ka një bazë të fortë ligjore në këtë drejtim. Ligji për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë është një prej ligjeve kyçe, ai plotësohet nga ligje të tjera si ligji për energjinë, energjinë elektrike, ta them si sqarim. Është ligji për rregullatorin, efiçiencën e energjisë dhe performancën energjetike të ndërtesave, si dhe rregullat e ZRRE për autorizimin, licencimin. Këto ligje u japin qytetarëve të drejtën të prodhojnë, të konsumojnë, të ruajnë dhe të shesin energji të ripërtëritshme”, tha ajo.

Sipas Demolli-Nimanit, një nga problemet kryesore është se qytetarët duhet të komunikojnë me disa institucione për të realizuar një investim, pa pasur një pikë të vetme që i udhëzon nga fillimi deri në përfundim të procesit.

“Katër pengesat kryesore që ky raport, kjo analizë i thekson janë procedura të fragmentuara. Procedurat për energji të ripërtëritshme janë të shpërndara në shumë institucione dhe akte të ndryshme ligjore. Një familje ose biznes i vogël që dëshiron të vendosë panele në çati duhet të merret veçmas me Ministrinë e Ekonomisë dhe KEDS-in, Furnizuesin Komunën, fatmirësisht tashmë veç është larguar, Fondin e Efiçiencës së Energjisë dhe platformën eKosova. Secili institucion ka mandatin e vet dhe nuk ekziston një sportel i vetëm që e udhëheq qytetarin nga fillimi deri në fund. Edhe pse në eKosova përdoret për aplikimet për subvencione, hapat kryesorë mbeten jashtë platformës. Autorizimi i ZRRE, lidhja në rrjet, pëlqimi komunal, marrëveshja për furnizuesin dhe verifikimi teknik. Rezultati është pasiguri, vonesë dhe barrë administrative. Kjo prek më së shumti ata që kanë më pak kapacitet ligjor, teknik, dhe financiar. Me një fjalë, ekonomitë familjare dhe komunitetet në zona rurale”, tha ajo.

Një tjetër problem i evidentuar në analizë është renditja e procedurave dhe paqartësia rreth lejeve që duhet të sigurohen përpara se të nisë investimi.

Sipas Demolli-Nimanit, kjo mund të bëjë që investitorët të shpenzojnë kohë dhe para pa pasur siguri nëse projekti do të miratohet.

Ajo ka ngritur shqetësime edhe për kufizimet që lidhen me statusin e prosumatorit, përkatësisht konsumatorit që prodhon energji për nevojat e veta, si dhe për mungesën e akteve nënligjore që do të mundësonin funksionimin praktik të komuniteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe vetëkonsumit kolektiv.

Në anën tjetër, raporti i D4D-së evidenton vështirësi në informimin e qytetarëve dhe në qasjen ndaj skemave të mbështetjes për energjinë e ripërtëritshme.

Rezarta Krasniqi nga D4D ka thënë se, ndonëse programet publike krijojnë mundësi për familjet që të investojnë në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë energjetike, informimi, përballueshmëria ekonomike, besimi dhe transparenca mbeten çështje të rëndësishme.

“Në pjesën e granteve dhe mbështetjeve, ku programet publike krijojnë një mundësi mjaft të mirë familjare në energjitë e ripërtrishme dhe eficiencës energjetike, mirëpo informacionet përballueshmëria ekonomike e qytetarëve, besimi, transparenca dhe llogaridhënia besoj që kanë qenë të gjeturat kryesore që i kemi mbledhur nga ky hulumtim. Po filloj në pjesën e parë, që ka të bëjë me pjesën e vetëdijesimit ku jo gjithmonë vetëdijesimi garanton edhe pjesëmarrjen në këtë drejtim. E shohim se ka 47.7% kanë aplikuar dhe kanë tentuar të aplikojnë për të pasur mbështetje në këtë drejtim, ndërsa 25.3% raportojnë një aplikim të suksesshëm, pra e kemi bërë mbledhjen në pjesën e analizës, ku përveç informimit dhe mundësisë ekzistuese është e nevojshme që të përmirësohet edhe përvoja e aplikuesve, dhe të zvogëlohen pengesat të cilat diskutojnë në vijim, që kanë hasur qytetarët gjatë aplikimit të tyre”, tha ajo.

Krasniqi ka theksuar se qytetarët janë të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë sa i përket qartësisë së procedurave dhe kritereve të aplikimit.

“Informacioni nuk është i mjaftueshëm dhe i qartë dhe i qasshëm gjatë takimit tonë që kemi pasur, edhe me zyrën kemi parë që disa prej të dhënave tona janë në linjë të njëjtë, ku 50.1% i konsiderojnë hapat dhe kriteret shumë të qarta, dhe shumë të lehta dhe kanë pasur sukses, ndërsa 49% i konsiderojnë të paqarta, pra e kemi një ndarje 50 me 50 pasi që janë mbledhur, dhe këto sfida mund të kalohen lehtësisht meqë kanë të bëjnë me procedurë të aplikimit, me mënyrë se si këto dokumente përgatiten, cilat janë afatet pas këtyre, dhe informacioni është pak i centralizuar, dhe jo gjithmonë lehtësisht i kuptueshëm nga qytetarët në momentin që hapet thirrja në këtë drejtim. Procedurat administrative i kanë dekurajuar aplikuesit, kjo nga të gjeturat që i kemi mbledhur, gati 1 në 2 aplikues përshkruajnë procedurat si disi ose shumë të vështira, ku shohim që janë renditur disa nga kriteret që ata i kanë listuar si janë pritjet shumë të gjata procedurat e ndërlikuara, kërkesat e tepërta në dokumentacion”, tha ajo.

Zëvendësministri në Ministrinë e Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka thënë se tranzicioni energjetik duhet të trajtohet si angazhim afatgjatë, duke balancuar sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe përballueshmërinë e kostove për qytetarët.

“Ministria e Ekonomisë e trajton është transicionin energjetik si angazhim afatgjatë për sigurinë e furnizimit, për energji të pastër, po edhe për kostot përballueshme. E gjithmonë flasim për trilemën moderne energjetike, ku e kemi mbrojtjen e mjedisit, kemi sigurinë e furnizimit edhe përballueshmërinë. Unë këtë e vizualizoj si një trekëndësh, se interesat duhet me u barazpeshu, edhe mendoj që duhet me përtheku me të dy duart. Në një anë kemi kapacitetet e reja, në anën tjetër kemi efiçiencën energjetike, edhe tema që po e trajtoni ju sot nga ligji te qytetari, mbase i prek të dyjat, edhe shënjon atë lidhjen që po synojmë me ndërtu rregullat me kriju mundësi, edhe procedurat me lehtësu pjesëmarrjen, në mënyrë që rezultatet me u ndi sa më shumë në jetën e përditshme. Në aspektin rregullator, ligji për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë e ka kriju një bazë të qartë për investime, edhe po mundëson pjesëmarrjen e qytetarëve si prosumatorë, që e kanë pikë të dobët gjuhën, po vërej që e kemi shtu një fjalë të re në përdorim të gjanë, e kemi huazu prej anglishtes, po me të drejtë, meqë po përvetësojmë edhe një koncept shumë të rëndësishëm për ekonominë edhe mirëqenien e vendit, pra konsumatorët prodhojnë energji për nevojat e tyre, edhe kështu familjet e marrin një rol aktiv në transicionin energjetik. Interesin për këto investime e kemi pa kur kemi fillu edhe pakun mbështetëse të energjisë, edhe masat e përkrahëse, subvencioneve në Ministrinë e Ekonomisë”, tha ai.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e organizatës EcoZ, Egzona Shala, ka theksuar se tranzicioni i gjelbër duhet të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, përfshirë uljen e kostove të energjisë dhe krijimin e mundësive të reja për punësim.

“Në Kosovë, e dimë që kjo agjendë përfshin dekarbonizimin, ekonominë qarkore, zvogëlimin e ndotjes, krijon sisteme të qëndrueshme ushqimore, zhvillimin rural, dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve. Të gjitha këto fusha të ndërlidhura njëra me tjetrën, por që qëllimin kryesor e kanë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Diskutimi i sotëm është pak më specifik edhe ka të bëjë me energjinë e ripërtëritshme, ku pjesa e rëndësishme është edhe kjo në kuadër të kornizës së agjendës së gjelbër. Po shpresoj që përmes këtij diskutimi kemi me pa se si angazhimet rajonale, po përkthehen në politika, por po ashtu edhe në mbështetje dhe mundësi konkrete për qytetarët. Për një familje, tranzicioni i gjelbër domethënë shtëpi më e ngrohtë. Domethënë një faturë më e përballueshme e energjisë. Mirëpo, për një të ri, mundet me qenë një krijim i një aftësie të së ardhmes, qoftë për punë apo qoftë edhe për jetesë. Ndërkaq, për një komunitet, mundet me sjellë një prodhim të përbashkët të energjisë, edhe përfitime që mbeten në vendin ku jeton. Që këto mundësi të jeni duhet më shumë punë”, tha ajo. /eo

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.