Sipas raportimit të The Guardian, Anglia ka marrë një goditje të rëndë në Kupën e Botës 2026, pasi Reece James pritet të mungojë të paktën në dy ndeshje për shkak të një lëndimi në muskujt e kofshës.
Kapiteni i Chelseat nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Panamasë të shtunën, ndërsa gjithashtu do të mungojë edhe në ndeshjen e raundit të 1/16 së finales, kundërshtari i së cilës ende nuk është përcaktuar.
James kishte kaluar pothuajse dy muaj jashtë fushave gjatë pjesës finale të sezonit për shkak të të njëjtit problem fizik. Ai u rikthye në dispozicion për ndeshjet e fundit, por nuk arriti asnjëherë të luante rregullisht 90 minuta.
Pavarësisht kësaj, mbrojtësi i djathtë konsiderohej një element kyç në planet e përzgjedhësit Thomas Tuchel për këtë Botëror. Ai luajti nga 90 minuta të plota në takimet ndaj Kroacisë dhe Ganës, megjithatë situata me lëndimin e tij vazhdon të kërkojë menaxhim të kujdesshëm.
Shenjat e para të problemit u vunë re të premten, kur James mungoi në seancën stërvitore të Anglisë para se skuadra të largohej nga baza stërvitore në Kansas City drejt New Yorkut, ku “Tre Luanët” do të përballen me Panamanë.
Mungesa e 26-vjeçarit përbën një shqetësim të madh për Tuchelin, pasi James është një nga lojtarët më të rëndësishëm të repartit defensiv dhe një armë e rëndësishme në fazën sulmuese falë aftësive të tij në krahun e djathtë./Telegrafi/
