Prishtina ka zyrtarizuar afrimin e parë për sezonin e ri, duke arritur marrëveshje me futbollistin Kastriot Selmani.
26-vjeçari rikthehet te klubi ku nisi rrugëtimin e tij futbollistik, pasi kishte kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Prishtinës deri te ekipi i parë.
Selmani u prezantua zyrtarisht nga drejtori i ri sportiv i klubit, Mentor Zhdrella, i cili nisi detyrën e tij të re pikërisht me prezantimin e sulmuesit.
Gjatë karrierës së tij, Selmani ka qenë pjesë e disa prej skuadrave më të njohura në futbollin kosovar, përfshirë Dritën dhe Llapin, me të cilat ka fituar edhe trofe.
Futbollisti vjen nga kampioni i Shqipërisë, Egnatia, ku gjatë periudhës së tij regjistroi 42 paraqitje në të gjitha garat. Ai luajti në Superligën shqiptare, Kupën e Shqipërisë, si dhe në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, duke fituar përvojë të vlefshme në arenën ndërkombëtare.
Pas zyrtarizimit, Selmani nuk e fshehu emocionin për rikthimin në klubin e fëmijërisë.
“Rikthimi në Prishtinë për mua ka një domethënie të veçantë, pasi kthehem në vendin ku filluan ëndrrat e mia dhe ku ndërtova bazat e rrugëtimit tim sportiv”.
“Ndihem i privilegjuar që do të kem mundësinë të vesh përsëri këtë fanellë dhe të kontribuoj për arritjen e objektivave të klubit”, deklaroi Selmani./Telegrafi/
