Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë kërkuar hapjen e deponisë së Mirashit gjatë natës, duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryeshefit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Dardan Velija.
Në një konferencë për media të mërkurën, përfaqësuesit e Kryeqytetit kanë thënë se kufizimi i orarit të deponisë, e cila sipas tyre mbyllet nga mesnata deri në orën 07:00, po pengon shkarkimin e mbeturinave nga kamionët e kompanisë “Pastrimi”.
Musmurati ka paralajmëruar se Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kryeshefit të KMDK-së, duke e lidhur këtë me mbylljen e deponisë gjatë natës.
“Komuna e Prishtinës do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë për mbylljen e qëllimshme të deponisë dhe për përgjegjësinë që ka për pasojat që po sjell kjo mbyllje”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo ka thënë gjithashtu se një projekt në vlerë prej 74 milionë eurosh, i mbështetur nga Banka Zhvillimore Gjermane KfW, që sipas saj do të mundësonte sigurimin e 100 kamionëve shtesë, 10 mijë kontejnerëve dhe ndërtimin e një qendre riciklimi, është bllokuar nga ministri Hekuran Murati.
Musmurati i ka cilësuar këto zhvillime si pengesa ndaj përpjekjeve të Kryeqytetit për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka kërkuar që deponia të hapet që nga mesnata e së mërkurës, në mënyrë që kamionët të mund t’i shkarkojnë mbeturinat e grumbulluara në Prishtinë.
“Sonte, në ora 12:00 kërkoj të hapen dyert në deponinë në Mirash, për t’u larguar mbeturinat nga Kryeqyteti. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, ka deklaruar Retkoceri.
Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka dërguar kërkesë zyrtare për sqarimin e kufizimit të orarit, por, sipas tij, deri më tani nuk ka pranuar vendim zyrtar.
Retkoceri i ka kërkuar kryeshefit të KMDK-së, Dardan Velija, të japë përgjegjësi publike, ndërsa ka ftuar edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të deklarohet për këtë çështje dhe të ndërmarrë veprime.
“Si kërkohet një Prishtinë e pastër, kur pengohet investimi në pastrim dhe njëkohësisht kufizohet funksionimi i deponisë?”, ka thënë Retkoceri.
Në fund, Kryeqyteti ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për rikthimin e funksionimit të plotë të deponisë së Mirashit, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë së shërbimit të grumbullimit të mbeturinave për qytetarët. /Telegrafi/

