Prishtina po merr pamjen e një mobilizimi qytetar në prag të “Marshit për Liri”, i cili pritet të mbahet më 12 shtator në kryeqytet.
Në pjesë të ndryshme të qytetit janë vendosur pankarta dhe materiale që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në marsh, ndërsa disa qytetarë dhe biznese kanë shprehur mbështetjen e tyre duke vendosur këto mesazhe në vitrina dhe hapësira të lokaleve.
Thirrjet lidhen me mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pankartat, që përmbajnë datën, orën dhe vendin e tubimit, janë vendosur në zona të ndryshme të Prishtinës, duke bërë që thirrja për marsh të jetë e pranishme në hapësirat publike dhe bizneset e kryeqytetit.
“Marshi për Liri” është paralajmëruar të mbahet të shtunën, më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Organizimi bëhet nga platforma qytetare “Liria Ka Emër”.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Në ditët para marshit, thirrjet për pjesëmarrje janë bërë gjithnjë e më të dukshme në kryeqytet, përmes pankartave të vendosura në rrugë, lokale dhe hapësira të frekuentuara nga qytetarët. /Telegrafi/