KORREKT / SOT8 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Showbiz

Prishtina Mall shndërrohet në skenë mode: Yllka Brada sjell një koncept ndryshe me “Fashion in Motion”

Prishtina Mall shndërrohet në skenë mode: Yllka Brada sjell një koncept ndryshe me “Fashion in Motion”

Gjashtë skena, modele që pozojnë para publikut dhe figura të njohura të jetës publike e të showbiz-it: “Fashion in Motion” solli një përvojë të veçantë të modës në Prishtina Mall, ku të pranishëm ishin edhe Kristale Ivezaj Rama dhe stilisti Mr Rex.

Mbrëmja e së shtunës, 7 nëntor, solli një atmosferë ndryshe në ambientet e Prishtina Mall, ku u organizua ngjarja “Fashion in Motion”, nën konceptin kreativ të stilistes së njohur Yllka Brada.

Në vend të një sfilate tradicionale, ku modelet parakalojnë në një pasarelë, Brada kishte zgjedhur ta prezantonte modën përmes gjashtë skenave të veçanta, në të cilat modelet pozonin njëkohësisht, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të shihnin nga afër jo vetëm veshjet e brendeve të ndryshme, por edhe procesin e realizimit të fotografive profesionale.

Telegrafi ishte i pranishëm në këtë ngjarje, ku intervistoi organizatoren dhe disa prej personaliteteve të njohura që iu bashkuan mbrëmjes.

“Prishtina Mall-in e kemi transformuar. E kemi sjellë një version të ri, i cili nuk është parë më herët. Kam vendosur që në vend të sfilatës tradicionale të bëjmë një prezantim pak më ndryshe”, u shpreh Yllka Brada për Telegrafin.

Yllka Brada (Foto: Telegrafi)

Ajo shpjegoi se koncepti ishte ndërtuar për t’ia afruar modën publikut dhe për ta bërë atë pjesë të përvojës.

“I kemi gjashtë skena, ku në të njëjtën kohë modelet pozojnë dhe njerëzit mund t’i shohin veshjet e brendeve të ndryshme që janë të pranishme në Prishtina Mall. Gjithashtu, mund ta shohin edhe vetë procesin e fotoshooting-ut”, tregoi stilistja.

Mes të pranishmëve ishte edhe Kristale Ivezaj Rama, bashkëshortja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, e cila muaj më parë kishte marrë pjesë si modele në Javën e Modës në Milano.

Kristale Ivezaj Rama (Foto: Telegrafi)

Duke folur për Telegrafin, ajo e përshkroi modën si një mënyrë të rëndësishme të shprehjes së individualitetit.

“Ndihem shumë mirë. Moda është jashtëzakonisht argëtuese. Është, siç e dini, një formë e shprehjes personale. Prandaj, është shumë bukur të festosh modën dhe mënyrën se si veshjet i bëjnë njerëzit të ndihen, si ndikojnë në mënyrën e të menduarit dhe në këndvështrimin që kemi për jetën. Është vërtet kënaqësi”, tha Kristale Ivezaj Rama.

Atmosferën dhe rëndësinë e organizimeve të tilla për kryeqytetin e vlerësoi edhe stilisti Mr Rex, i cili theksoi se Prishtina ka nevojë për më shumë ngjarje që bashkojnë modën, kreativitetin dhe personalitetet e njohura.

“Eventi më duket shumë i mirë, shumë mirë i organizuar dhe mendoj që Prishtinës i mungojnë evente të tilla. Më erdhi mirë që sot është organizuar një ngjarje me kaq shumë emra e figura të showbiz-it, politikës dhe televizionit”, u shpreh ai.

Përtej modës, Mr Rex vuri në dukje edhe dimensionin shoqëror të mbrëmjes, duke shtuar se organizimi ishte një mundësi për t’u ritakuar me njerëz që nuk i kishte parë prej vitesh.

“Fashion in Motion” shënoi kulmin e një jave aktivitetesh të zhvilluara nga 1 deri më 7 nëntor në Prishtina Mall.

Mr. Rex (Foto: Telegrafi)

Programi përfshiu analiza të ngjyrave me Esmeralda Zoton, këshillime për stilin personal me Yllka Bradën, personalizim kreativ të veshjeve përmes pikturës me Leonita Mujën, si dhe këshilla profesionale nga stilisti Niko Komani, i ardhur nga Tirana.

Me këtë organizim, Prishtina Mall synoi ta sjellë modën përtej përvojës së zakonshme të blerjeve, duke e kthyer atë në një hapësirë ndërveprimi, kreativiteti dhe frymëzimi.

Ndërsa për Yllka Bradën, “Fashion in Motion” ishte një mundësi për të treguar se një prezantim mode nuk ka nevojë të kufizohet brenda një pasarele. Ndonjëherë, mjafton të ndryshosh skenën për t’i dhënë publikut një mënyrë krejt tjetër për ta përjetuar modën. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.