Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se hapësira e njohur për gjenerata të tëra si “te Zalli” po kthehet në Stacion Kulturor, në bashkëpunim me Artpolis-in.
Rama ka bërë të ditur se, pas më shumë se dy dekadash, Prishtinës i është rikthyer edhe Galeria e Kryeqytetit në Pallatin e Rinisë.
“Një vend që bart kujtesën e eksodit të vitit 1999, sot hap dyert për art, kulturë, ide dhe horizonte të reja”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, hapësira “te Zalli” do të shërbejë si një vend i ri për artistët, krijuesit dhe komunitetin, duke e rikthyer në funksion një hapësirë të lënë pas dore.
“Ky është vizioni ynë për Prishtinën, hapësirat publike t’ua kthejmë qytetarëve, hapësirat e harruara pa jetë t’ua kthejmë artistëve, krijuesve dhe komunitetit”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se rigjenerimi i qytetit nuk lidhet vetëm me ndërhyrjet fizike, por edhe me aspektin kulturor, shoqëror dhe njerëzor.
“Sepse rigjenerimi i qytetit nuk është vetëm fizik. Është kulturor, shoqëror dhe njerëzor”, ka shkruar ai.
Në fund, Rama ka uruar për hapjen e Stacionit Kulturor, duke iu drejtuar artistes Zana dhe Artpolis-it: “Urime Zana. Urime Artpolis. Urime Stacioni Kulturor, Prishtinë.” /Telegrafi/