Prishtina po kalon një formë të shkëlqyer në Superligën e Kosovës, duke vazhduar serinë pozitive nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi. Skuadra kryeqytetase ka regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime në nëntë ndeshjet e fundit, duke mbetur skuadra e vetme në kampionat që ende nuk e ka shijuar humbjen.
Fitorja e fundit erdhi në një përballje të vështirë ndaj Ballkanit në Suharekë, ku Prishtina triumfoi me rezultat 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Rin Ahmeti, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.
Me 23 pikë Prishtina udhëheq së bashku me Malishevën, ndërsa ka një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Dritës nga xhiroja e dytë.
Merita të mëdha për këtë transformim ka trajneri Orges Shehi, i cili ka arritur t’i japë Prishtinës një identitet të ri, stabilitet dhe mentalitet fitues.
Nën drejtimin e tij, bardhekaltrit kanë rikthyer entuziazmin te tifozët, të cilët pas disa vitesh kanë arsye të besojnë sërish në luftën për titullin e kampionit.
Fitorja ndaj Ballkanit kishte edhe një domethënie të veçantë për Shehin, i cili më parë ka punuar te klubi nga Suhareka. Përballë një kundërshtari të fortë dhe në një ndeshje me shumë sakrificë, Prishtina dëshmoi se është e gatshme të luftojë deri në fund për objektivat e saj.
Pas ndeshjes, Shehi vlerësoi lart angazhimin e futbollistëve, veçanërisht për mënyrën se si e përballuan sfidën pasi mbetën me një lojtar më pak dhe patën probleme fizike me disa lojtarë.
“Futbolli është lojë dy luftimesh dhe, për këtë, gjej rastin t’i falënderoj publikisht çunat, edhe pse ua thashë edhe në zhveshtore, sepse meritojnë vlerësimin maksimal. Edhe pse mbetëm me një lojtar më pak dhe me dy lojtarë që nuk mundën të vazhdonin për arsye fizike, si Baftiu dhe Assane, të cilët edhe ata sakrifikuan shumë, kjo është një fitore e rëndësishme. Bravo e madhe djemve për shpirtin e garës që treguan”, deklaroi Shehi.
Trajneri i Prishtinës theksoi se vazhdimësia dhe mentaliteti i duhur janë elemente vendimtare për arritjen e objektivave madhore.
“Jemi të kënaqur me vazhdimësinë, ecurinë dhe mentalitetin e duhur. Sigurisht, për të arritur objektiva madhore, ky mentalitet është shumë i nevojshëm”, shtoi ai.
Orges Shehi (Foto: FC FC Prishtina) telegrafi.com
Prishtina tani do të synojë ta vazhdojë serinë pozitive në ndeshjen e radhës, ku do të luajë para tifozëve të saj kundër Dritës. Një tjetër rezultat pozitiv do të ishte dëshmi se kryeqytetasit janë pretendentë seriozë për titullin e kampionit. /Telegrafi/

