Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se Serbia nuk do të pyetet për statusin e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jenë pjesë e zgjidhjes.
Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, Millanoviq ka thënë se “Kosova është një problem që do të duhet të zgjidhet në një lloj bashkëpunimi me Beogradin”.
Duke komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “ne zgjedhim momentin kur do të përfundojë okupimi” në Kosovë, Millanoviq tha se Serbia nuk do të pyetet për këtë, transmeton Paparaci.
“Gjë që nuk do të thotë se është e parëndësishme dhe ne ta shikojmë me përbuzje, ajo është pjesë e zgjidhjes”, ka thënë ai.
Presidenti i Kroacisë shtoi se përsëri po bëhen pazare me interesat serbe, por se nuk mendon se është duke gabuar kur thotë se interesi i Serbisë është të jetë në BE dhe të jetojë më mirë.
Andaj deklaratat e Vuçiqit i sheh si të panevojshme, por jo të rrezikshme, dhe atyre nuk dëshiron të japë më shumë rëndësi.
“Ai, sikur edhe unë, nuk do të pyetet, sepse ai zog (Kosova) ka kohë që ka ikur dhe po jeton jetën e vet, por ende nuk është rritur plotësisht, nuk është ende gati për fluturimin transoqeanik u shpreh figurativisht presidenti i Kroacisë.
Ai shtoi se Serbia më nuk do të kthehet në Kosovë.
“Ishte pjesë e Serbisë, por nuk është më. Dhe pse jo? Ata e kanë përgjigjen për këtë – sepse ata nuk ishin pushtet i mirë, ishin pushtet i tmerrshëm dhe ja ku janë tani”, ka thënë ai.
“Shumica e qytetarëve serbë e kanë pranuar realitetin, vetëm dikush duhet t’i shtyjë në atë drejtim”, ka shtuar Millanoviq.
Ai gjithashtu ka theksuar se pavarësia e Kosovës është një realitet i njohur nga shumica e vendeve evropiane.
“Kroacia e njohu Kosovën ndër të parat, jo për të provokuar Serbinë, por sepse është realitet”, ka thënë Millanoviq dhe ka shtuar se Serbia tani është në një situatë skizofrenike, në të cilën flirton me marrëdhëniet me Rusinë