Presidenca e Kosovës ka reaguar pas kritikave dhe diskutimeve në opinion publik lidhur me pretendimet për largimin e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga hapësirat e këtij institucioni.
Nga Presidenca kanë mohuar se këto dy elemente janë larguar, duke thënë se të gjitha vazhdojnë të jenë në hapësirat e institucionit.
“Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për Ekonomia Online.
Ky sqarim vjen pas reagimeve të shumta, përfshirë ato të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë kundërshtuar atë që e kanë cilësuar si largim të fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i kishte bërë thirrje presidentes që ta rishikojë vendimin dhe t’i rikthejë ato në vendin e tyre, duke vlerësuar se Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë themelet e shtetit të Kosovës.

