KORREKT / SOT18 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Prekariati në Kosovë: Kur puna nuk garanton një të ardhme të sigurt

Prekariati në Kosovë: Kur puna nuk garanton një të ardhme të sigurt

Shkruan: Lularta Buja

“…Paga që marrim shpeshherë nuk i mbulon as shpenzimet bazë… Për kursime nuk mund të flitet. Si rrjedhojë bëhet i pamundur çdo planifikim apo investim jetësor…”.

Kështu u shpreh Arjanita Dinosha, e cila punon për më shumë se 20 vjet si mësimdhënëse.

Për të, kjo pasiguri është pjesë e realitetit të përditshëm. Pavarësisht angazhimit profesional dhe përgjegjësive që ka, ajo për Klankosova.tv e përshkroi gjendjen si një kufizim që shkon përtej vështirësive të zakonshme financiare.

Edhe Kadri Gashi, i cili për shumë vite udhëheq një organizatë joqeveritare në Kosovë, tha se pasiguria ekonomike ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si i planifikon vendimet personale.

Ai thotë se kur pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për nevojat e domosdoshme, krijimi i një rezerve financiare bëhet i vështirë. Për Klankosova.tv, Gashi theksoi se frika e tij më e madhe është që, pavarësisht punës dhe angazhimit, të mos ketë siguri të mjaftueshme financiare për t'i përballuar nevojat e veta dhe të familjes në të ardhmen.

Puna e paga, a nuk e largojnë pasigurinë?

Të dhënat zyrtare tregojnë se pagat mesatare në Kosovë janë rritur. Sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuar më 29 maj 2026, paga mesatare neto në vitin 2025 arriti në 636 euro, krahasuar me 552 euro në vitin 2024.

Në sektorin privat, paga mesatare neto ishte 596 euro, ndërsa në sektorin publik arriti në 744 euro. Këto shifra tregojnë dallime të rëndësishme ndërmjet sektorëve dhe ofrojnë një pasqyrë të përgjithshme të të ardhurave nga puna.

Për ta kuptuar nëse një pagë mundëson një jetë më të mirë, duhet të merret parasysh edhe ndryshimi i çmimeve gjatë të njëjtës periudhë.

Një pagë mund të rritet në vlerë, por nëse shpenzimet e domosdoshme rriten në të njëjtën kohë, përmirësimi real i standardit të jetesës mund të jetë më i vogël nga sa sugjeron shifra.

Pikërisht këtë dallim e thekson edhe Kadri Gashi, i cili thotë se problemi nuk qëndron vetëm te shuma që merret si pagë, por te ajo që mund të blihet me të, sa i kushton jeta dhe sa mundësi i mbeten për të ndërtuar siguri për të ardhmen.

“Problemi nuk është vetëm sa është paga, por edhe sa mund të blesh me të”, thekson ai.

Sipas tij, edhe një person që punon me orar të plotë dhe ka të ardhura të rregullta mund të mos arrijë të kursejë apo të përballojë një shpenzim të papritur pa u futur në vështirësi financiare.

Presioni mbi buxhetet familjare reflektohet edhe në të dhënat e Bankës Botërore. Sipas raportit të 2026, inflacioni në Kosovë arriti në 3.9 për qind gjatë vitit 2025, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të banimit dhe shërbimeve komunale. Raporti paralajmëroi se çmimet më të larta vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi fuqinë blerëse të familjeve. Këto të dhëna tregojnë se, për ta kuptuar gjendjen ekonomike të qytetarëve, duhet të shihen së bashku rritja e pagave dhe shpenzimet që ata duhet të përballojnë.

Sociologia Ambera Kelmendi e sheh pasigurinë ekonomike edhe përmes ndryshimit të kërkesave që shoqërojnë jetën familjare. Sipas saj, nga lindja e fëmijëve deri në moshën e shtyrë, shpenzimet dhe përgjegjësitë e jetës e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve.

“Ne punojmë për të jetuar dhe asgjë më shumë”, thotë Kelmendi. Ajo për Klankosova.tv vuri në pah edhe ndikimin e pritshmërive shoqërore dhe të konsumit, përfshirë presionin për t'iu përshtatur trendeve.

Megjithatë, pamundësia për të kursyer nuk mund të shpjegohet vetëm me mënyrën e konsumit. Për shumë familje, një pjesë e madhe e buxhetit shkon për nevoja që nuk mund të shmangen lehtësisht. Nëse pjesa më e madhe e pagës shpenzohet për banim, ushqim dhe transport, hapësira për kursime mbetet e vogël edhe kur shpenzimet menaxhohen me kujdes.

Kjo e bën pasigurinë ekonomike një çështje që shkon përtej zgjedhjeve individuale. Ajo lidhet edhe me raportin ndërmjet pagave, çmimeve dhe kostos së shërbimeve që nevojiten për të jetuar.

Sipas ekonomistit dhe profesorit të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, kur një person nuk arrin të krijojë perspektivë ekonomike për veten dhe fëmijët e tij, mundësia për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme brenda vendit vihet në pikëpyetje.

“…Disponimi i qytetarit për të jetuar apo për të mos jetuar në vendin e vet është treguesi më i qartë për rangimin e një shteti në nivel botëror nga të gjitha institucionet relevenate botërore siç është Banka Botërore dhe FMN… Për ta evituar, Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në politika investive që të fuqizojë biznesin, sepse ekonomia e tregut na tregon që bizneset e forta nënkuptojnë potencialisht paga më të larta, mirëqenie më të lartë dhe në anën tjetër vigjilencë në respektimin e kontratave, pra të ketë mendësi investive në politikat e Qeverisë së Kosovës…”, tha ai për Klankosova.tv.

Ndërkaq, sipas Gashit, në disa sektorë, të ardhurat dhe vazhdimësia e punës nuk varen vetëm nga përkushtimi apo aftësitë e punëtorit, por edhe nga vendime dhe rrethana që ai nuk i kontrollon.

“Edhe kur ke punë sot, mund të mos e dish nëse do ta kesh të njëjtën siguri pas gjashtë muajsh apo një viti”, shprehet ai.

Gashi thotë se kur siguria ekonomike mungon, ndikimi nuk kufizohet te shpenzimet e përditshme – ai depërton edhe në vendimet më të rëndësishme të jetës: ku të jetosh, kur të blesh një banesë, nëse mund të marrësh kredi dhe kur është e arsyeshme të krijosh apo të zgjerosh familjen.

Çfarë është prekariati?

Ky term u bë i njohur gjerësisht përmes punës së ekonomistit britanik Guy Standing, i cili në librin “The Precariat: The New Dangerous Class” e trajton prekariatin si një kategori shoqërore në rritje, të karakterizuar nga pasiguria në punë dhe në jetë.

Ai nuk nënkupton vetëm papunësinë apo punën e përkohshme. Një person mund të jetë i punësuar me orar të plotë, të ketë përgjegjësi profesionale dhe të marrë pagë çdo muaj, por prapëseprapë të mos ketë siguri ekonomike.

Në raportin e publikuar më 10 korrik 2026, Fondacioni Evropian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe të Punës (Eurofound) e trajton cenueshmërinë në punë si fenomen shumëdimensional. Edhe pse studimi analizon tregjet e punës në Bashkimin Evropian, ai ofron një kornizë për ta kuptuar problemin: siguria ekonomike nuk përcaktohet vetëm nga fakti nëse një person ka punë, por edhe nga cilësia e saj dhe mundësitë që ajo i ofron.

Për ta identifikuar prekariatin, nuk mjafton të shihet vetëm nëse një person punon dhe sa fiton. Duhet të shqyrtohet edhe siguria e kontratës, vazhdimësia e punës, mbrojtja sociale dhe mundësia për të përballuar shpenzime të papritura. /Klankosova.tv

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.