Një person që dyshohet se ka grabitur rreth 8000 euro në një biznes në Gjakovë derisa ishte i maskuar është arrestuar sot pasi kishte qenë në arrati.
Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Gjakovë tha se ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet Ç.Zh. më datë 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, tek “R.M.T” i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës, ka grabitur rreth 8.000 euro, pasi ka kërcënuar punonjësen dhe ka marrë paratë nga dollapi ku mbaheshin ato. I pandehuri Ç.Zh. ka qenë në arrati, ndërsa më datë 15 tetor 2026 është arrestuar”, tha prokuroria.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Me këto veprime i pandehuri Ç.Zh. ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

