Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e ri të pullave nga tema “Evropa”, të titulluar “70-vjetori i pullës Evropa”.
Ky emision shënon një përvjetor të rëndësishëm në historinë e bashkëpunimit filatelik evropian.
E emetuar për herë të parë në vitin 1956 nga gjashtë shtete evropiane, pulla EUROPA është shndërruar në simbol të unitetit, paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të kontinentit.
“Për shtatë dekada, këto pulla kanë pasqyruar vlerat e përbashkëta evropiane, duke bashkuar kulturën, historinë dhe identitetin e vendeve pjesëmarrëse përmes artit filatelik.
Tema e vitit 2026 i kushtohet pikërisht këtij përvjetori, duke theksuar rrugëtimin 70-vjeçar dhe rolin e pullave EUROPA në afrimin e njerëzve dhe vendeve përmes komunikimit.
Emisioni përfshin dy pulla postare, një bllok filatelik dhe Zarfin e Ditës së Parë dhe do të jetë në qarkullim deri në konsumimin e plotë”, thuhet në njoftim.
Posta e Kosovës fton koleksionistët dhe qytetarët që të bëhen pjesë e këtij përvjetori të rëndësishëm duke pasuruar koleksionet e tyre me këtë emision të veçantë. /Telegrafi/

