Zviceranët refuzojnë iniciativën për një neutralitet më të madh në politikën e jashtme. Rreth 70 për qind e votuesve i thanë jo kësaj nisme të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) të krahut të djathtë konservator.
Zviceranët kanë votuar kundër propozimit për të futur një interpretim më të rreptë të neutralitetit politik në Kushtetutën e tyre. Sipas parashikimeve të para pas mbylljes së vendvotimeve, 71 për qind e pjesëmarrësve në votim iu përgjigjën me “jo” kësaj nisme, siç deklaroi bashkëdrejtuesi i institutit të sondazheve gfs.bern, Lukas Golder, për televizionin publik SRF.
Iniciativa u ndërmor nga organizata “Pro Schweiz”, e cila është e afërt me Partinë Popullore të Zvicrës (SVP) të krahut të djathtë konservator. Mbështetësit e saj argumentonin se Zvicra do të ishte më e sigurt nëse jo vetëm që do të qëndronte jashtë konflikteve të armatosura dhe aleancave ushtarake – siç ka bërë deri më tani – por edhe do të pengohej të vendoste sanksione kundër palëve ndërluftuese. Synimi kryesor i nismës ishte parandalimi i rasteve të ngjashme me vendimin e qeverisë zvicerane për të adoptuar masat e BE-së pas invazionit rus në Ukrainë.
Kritikët dhe kundërshtarët e kësaj mase argumentuan se siguria e Zvicrës mund të garantohet vetëm përmes bashkëpunimit me shtetet e tjera. Përveç kësaj, ata theksuan se vendi nuk mund të trajtojë në mënyrë të barabartë agresorin dhe viktimën në një konflikt të armatosur.
Nisma e popullistëve zviceranë javëve të fundit është mbështetur shumë nga mediat ruse. Në platformën RT (Russia Today), e cila në Zvicër – ndryshe nga BE-ja – nuk është e ndaluar, i është kushtuar mjaft vëmendje dhe është përkrahur iniciativa popullore për “ruajtjen e neutralitetit zviceran”. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, u shpreh publikisht në mbështetje të iniciativës.
Iniciativa insistonte që Zvicra nuk duhet as t’i bashkohet ndonjë aleance ushtarake dhe as të bashkëpunojë me të, për sa kohë që nuk sulmohet vetë. Përveç kësaj, nisma kërkonte që Zvicra të mos vendos sankcione kundër shteteve që zhvillojnë luftë, përveç rastit kur këto vendosen nga OKB-ja, gjë që pothuajse nuk ndodh kurrë për shkak të të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit. Një të drejtë të tillë e ka Rusia dhe ajo bllokon çdo nismë për sanksione kundër vetvetes.
Kritikët e kanë quajtur nismën një mashtrim të madh të meshtjellë me ambalazh. Historiani Sacha Zala i tha gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “askush në Zvicër nuk dëshiron të heqë dorë nga neutraliteti. Në thelb, kjo iniciativë ka të bëjë me ndalimin e vendosjes së sanksioneve ekonomike nga ana e Zvicrës kundër shteteve që zhvillojnë luftë. Prandaj, ajo në të vërtetë do të duhej të quhej ‘iniciativa për pengimin e sanksioneve’”.
Në televizionin publik SRF, deputetja Marianne Binder, e cila është pjesë e komitetit që kundërshtoi iniciativën për neutralitetin, thotë se refuzimi nga qytetarët është një sinjal i qartë për partnerët e Zvicrës në politikën e sigurisë dhe atë të jashtme. Zviceranët kanë një ndjesi të qartë për atë se çfarë mund të jetë neutraliteti: nuk sulmohet askush, mbrohesh në rast konflikti dhe bashkëpunohet me vendet e tjera në valën e politikës së sigurisë.