Sot në katër komunat me shumicë serbe po mbahen zgjedhjet.
Lidhur me procesin zgjedhor, Policia e Kosovës ka njoftuar se në katër komunat e veriut, deri në këto momente procesi ka shkuar pa ndonjë incident.
Kështu ka bërë të ditur Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai ka thënë se në aspektin e sigurisë gjithçka ka shkuar në rregull dhe në bazë të planit operativ për mbarëvajtjen e lirë të zgjedhjeve në veri.
Po ashtu është bërë e ditur se Policia ka angazhuar pjesëtarë të mjaftueshëm për të siguruar një mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve.
Theksojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në konferencën e tretë të mbajtur lidhur me zgjedhjet në veri ka publikuar disa të dhëna lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në ora 15:00.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi zgjedhor është duke vijuar në rregull dhe se nuk është njoftuar për ndonjë pengesë.
Më tutje Elezi ka thënë se deri në këtë orë kanë votuar 1085 qytetarë.