Policia e Kosovës ka realizuar 165 urdhëresa të gjykatës gjatë javës së kaluar në rajonin e Prishtinës, në kuadër të aksioneve të zhvilluara në lokacione të ndryshme.
Sipas njoftimit të Policisë, nga numri i përgjithshëm i urdhëresave, 38 kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë pasur të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Gjatë kësaj periudhe, aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë.
Në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar nëntë armë zjarri, ndërsa për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut janë shqiptuar gjithsej 4 mijë e 27 gjoba.
Nga to, 268 janë evidentuar përmes veturës inteligjente dhe radarëve mobilë.
Policia nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me personat ndaj të cilëve janë realizuar urdhëresat apo rrethanat e sekuestrimit të armëve. /Lajmi.net/

