Policia e Dubait ka pasuruar flotën e saj luksoze me një motoçikletë sportive BMW M 1000 RR, një nga modelet më të fuqishme të prodhuesit gjerman.
Motoçikleta e re u prezantua gjatë Samitit Botëror të Policisë në Dubai.
Ajo ka ngjyrat karakteristike të policisë, të bardhën me detaje të gjelbra, si dhe drita LED blu në pjesën e përparme.
BMW M 1000 RR është e pajisur me motor katërcilindërsh 999 kubikë, që zhvillon 218 kuajfuqi në 14.500 rrotullime në minutë.
Shpejtësia maksimale arrin rreth 314 km/orë, ndërsa nga 0 në 100 km/orë përshpejton për vetëm 3.1 sekonda.
Megjithatë, motoçikleta nuk pritet të përdoret kryesisht për ndjekjen e kriminelëve.
Sipas autoriteteve, ajo do të shërbejë për të forcuar praninë e policisë në monumentet dhe atraksionet turistike të qytetit.
Policia e Dubait njihet për flotën e saj të jashtëzakonshme të automjeteve, ku përfshihen edhe modele luksoze si Ferrari 812 Superfast dhe Lamborghini Temerario.
Kjo nuk është motoçikleta e parë BMW në flotën e policisë së Dubait.
Në vitin 2020, autoritetet kishin pranuar edhe 10 modele BMW R 1250 RT-P, të përshtatura posaçërisht për patrullime policore. /Telegrafi/

