Një 23-vjeçar nga Polonia rrezikon të kalojë deri në tetë vjet në burg për një “shaka” të pazakontë me dërgesa picash.
Byroja Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik në Poloni (CBZC) njoftoi arrestimin e një 23-vjeçari nga Szczecini, i dyshuar për përndjekje, mashtrim me identitetin dhe shkaktim të dëmeve të mëdha financiare ndaj disa kompanive polake, duke porositur qindra pica në adresa të ndryshme në të gjithë vendin. Asnjë prej personave të shënuar si marrës nuk ishte në dijeni se porositë ishin bërë në emër të tyre.
Sipas hetimit të policisë polake, porositë e rreme përmbanin jo vetëm të dhëna të hollësishme për viktimat, të cilat mund t’i dinin vetëm vetë viktimat ose personat e tyre më të afërt, por edhe kërcënime serioze.
Në disa prej tyre përmendej rrëmbimi i një të mituri, vënia e zjarrit në vendet e punës apo shkaktimi i qëllimshëm i aksidenteve rrugore. Kjo bëri që shumë prej viktimave të ndiheshin të kërcënuara dhe të shqetësuara.
Shumica e porosive të rreme u dërguan në adresa në Szczecin, por dhjetëra të tjera kishin si destinacion qytete të mëdha polake, përfshirë Vroclavin, Krakovin dhe Varshavën.
Disa restorante pësuan humbje të konsiderueshme pasi përmbushën porositë, ndërsa të tjera i refuzuan për arsye teknike ose sepse numri i madh i picave e bënte të pamundur përgatitjen e tyre në kohë.
Në një rast të vetëm, 23-vjeçari dyshohet se porositi 300 pica, me një vlerë totale prej më shumë se 37 mijë zlotësh, rreth 10 mijë dollarë. Disa porosi të tjera u anuluan nga restorantet për shkak të sasisë së jashtëzakonshme të ushqimit.
Policia e Byrosë Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik, së bashku me Departamentin Hetimor të Policisë së Szczecinit, bastisën banesën e të dyshuarit dhe sekuestruan pajisje elektronike dhe mjete për ruajtjen e të dhënave, të cilat dyshohet se ishin përdorur për kryerjen e këtyre porosive.
Nëse shpallet fajtor, 23-vjeçari rrezikon deri në tetë vjet burg. Ndërkohë, hetuesit ende po përpiqen të zbulojnë motivin e tij për këtë seri porosish të pazakonta dhe shqetësuese. /Telegrafi/