Paul Pogba ka ngjallur kureshtje për të ardhmen e tij, pasi publikoi një mesazh misterioz në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një njoftim të rëndësishëm në ditët në vijim.
Mesfushori francez, kampion bote me Francën në vitin 2018, publikoi një fotografi në Instagram me mbishkrimin “Tic tac”, një shprehje që sugjeron se koha po numërohet drejt një momenti të rëndësishëm.
Pogba kërkon një skuadër të re
33-vjeçari është pa klub që nga gushti, kur ndërpreu bashkëpunimin me Monacon.
Përvoja e tij në klubin francez nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë e kufizuan ndjeshëm aktivizimin e tij.
Pogba zhvilloi vetëm gjashtë paraqitje me Monacon, duke luajtur rreth 115 minuta në total.
SHBA-ja dhe Arabia Saudite, alternativa të mundshme
Pavarësisht vështirësive të viteve të fundit, francezi nuk e ka braktisur synimin për t’u rikthyer në futbollin aktiv.
Ndër destinacionet e përfolura për të ardhmen e tij janë Major League Soccer në SHBA dhe Arabia Saudite.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë marrëveshje të konfirmuar me ndonjë klub. Mesazhi i fundit i Pogbas ka shtuar spekulimet, por mbetet të shihet nëse ai paralajmëron një transferim të ri apo një njoftim tjetër për karrierën e tij. /Zëri

