Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se gjatë vizitës zyrtare në Turqi ka nënshkruar marrëveshje për themelimin e një qendre për trajnimin dhe përgatitjen e nxënësve të Podujevës në fushat e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Marrëveshja është nënshkruar me Dr. Elvan Kuzucu Hıdır, kryetare e Bordit të T3 Vakfı dhe anëtare e Bordit të Agjencisë Hapësinore të Turqisë, në kuadër të pjesëmarrjes në festivalin TEKNOFEST në Şanlıurfa.
Sipas Bulliqit, përmes një programi dyvjeçar të trajnimit, nxënësit e përzgjedhur do të aftësohen në robotikë, kodim, inteligjencë artificiale, elektronikë dhe teknologji hapësinore.
Programi parashikon edhe mundësi për një vit praktikë dhe angazhim në projekte konkrete.
Bulliqi ka bërë të ditur se nxënësit që do të dallohen gjatë trajnimeve do të kenë mundësi të marrin pjesë në gara ndërkombëtare të teknologjisë dhe inovacionit.
Sipas tij, Podujeva është komuna e parë në Kosovë që ka arritur një marrëveshje të tillë. /Telegrafi/