Gjigantët e inteligjencës artificiale, përfshirë Nvidia-n, Anthropic-un dhe SpaceX-in e Elon Musk-ut, mund të jenë në prag të një krize të madhe financiare. Paralajmërimet për rreziqet ekonomike janë shtuar, ndërsa edhe sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka ngritur shqetësime për pasojat e mundshme.
Gjatë javëve të fundit, Nvidia, Anthropic dhe SpaceX kanë humbur së bashku triliona dollarë nga vlera e tyre e tregut. Ndërkohë, investitorët e Bitcoin-it dhe kriptomonedhave janë paralajmëruar të përgatiten për një vit të vështirë më 2027.
Në këtë situatë, disa analistë parashikojnë se një shpërthim i mundshëm i flluskës së inteligjencës artificiale mund të pasohet nga një ndërhyrje masive e qeverive, e ngjashme me atë të krizës financiare të vitit 2008. Sipas kësaj teorie, një ndërhyrje e tillë mund të krijojë kushtet për një rritje të jashtëzakonshme të Bitcoinit.
Arthur Hayes, bashkëthemelues i platformës së tregtimit të kriptomonedhave BitMEX dhe drejtues i investimeve në fondin Maelstrom, beson se një krizë e tillë mund të detyrojë qeveritë të ndërhyjnë duke injektuar shuma të mëdha parash në ekonomi.
“Kur të gjithë falimentojnë, duhet të ringjallet sistemi. Nuk mund të lejojmë që bankat të rrëzohen, as që industria e inteligjencës artificiale të shembet. Për arsye të sigurisë kombëtare, fillojnë të shtypin para. Dhe pikërisht atëherë Bitcoin-i mund të rritet dhjetë apo njëzet herë”, ka deklaruar Hayes në një intervistë për podkastin AllInCrypto.
Ai ka shtuar se investitorët duhet të presin momentin kur qeveritë të fillojnë injektimin masiv të parave në ekonomi, shkruan forbes.
Një rritje 20-fish e vlerës së Bitcoin-it do të nënkuptonte që çmimi i një monedhe të kalonte një milion dollarë, duke e çuar kapitalizimin e përgjithshëm të tij në rreth 25 trilionë dollarë. Kjo do ta vendoste Bitcoin-in në një nivel të krahasueshëm me arin, duke përforcuar pretendimet e mbështetësve të tij se një ditë mund të shndërrohet në një alternativë kryesore për ruajtjen e pasurisë.
Megjithatë, Hayes nuk pret që kjo rritje të ndodhë menjëherë. Ai paralajmëron se rënia aktuale e tregjeve nuk ka qenë ende aq e madhe sa të detyrojë qeveritë të ndërhyjnë në përmasa të ngjashme me vitin 2008 apo me krizën e vitit 2020.
Për këtë arsye, ai pret që Bitcoin-i fillimisht të përballet me një rënie tjetër, duke parashikuar se çmimi mund të zbresë në rreth 50 mijë dollarë.
Sipas Hayes, një nga rreziqet kryesore lidhet me investimet masive në qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën e inteligjencës artificiale. Kompanitë kanë marrë përsipër angazhime financiare shumë të mëdha për kapacitetet kompjuterike, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të arrijnë të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për t’i përballuar këto shpenzime.
Ai pret që industria e inteligjencës artificiale të përballet me vështirësi serioze gjatë gjysmës së dytë të vitit 2027, pikërisht për shkak të kontratave afatgjata dhe detyrimeve financiare që kompanitë nuk mund t’i anulojnë lehtësisht.
Hayes beson se historia e teknologjisë përsëritet: investimet fillimisht rriten në mënyrë të pakontrolluar, pasohen nga një krizë dhe më pas vjen ndërhyrja e qeverive për shpëtimin e sistemit.
Në këtë skenar, ai parashikon se Bitcoin-i dhe tregu i kriptomonedhave mund të përfitojnë nga paratë e reja që do të injektoheshin në ekonomi.
Megjithatë, ky mbetet një parashikim i Hayes dhe jo një zhvillim i sigurt i tregjeve financiare. /Telegrafi/

