“Bordi i Paqes” i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump pritet të prezantojë një plan gjashtëmujor, me vlerë 2.45 miliardë dollarë, për rimëkëmbjen e Gazës.
Sipas Axios, plani përfshin 66 projekte që synojnë të adresojnë disa nga nevojat më urgjente në enklavën palestineze, nga strehimi i përkohshëm dhe pastrimi i rrënojave, deri te riparimi i spitaleve, rimëkëmbja ekonomike dhe vendosja e një force shumëkombëshe të sigurisë.
Dokumenti vlerëson se dëmet fizike në Gaza arrijnë në rreth 35.2 miliardë dollarë, ndërsa rindërtimi dhe rimëkëmbja e plotë gjatë dekadës së ardhshme do të kërkonin rreth 71.4 miliardë dollarë.
Plani parashikon gjithashtu riparimin e pikave kufitare, rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe vendosjen e 25 mijë sistemeve portative të energjisë diellore, transmeton Telegrafi.
Një tjetër masë e përfshirë në plan është mbyllja e përhershme e tuneleve nën zonat që konsiderohen prioritare për projektet e rindërtimit, me qëllim që ato të mos pengojnë punimet e ardhshme.
Administrata Trump i kishte njoftuar Kongresit në fund të korrikut se do të dërgonte më shumë se 206 milionë dollarë për një forcë të propozuar paqeruajtëse në Gaza. Ky do të ishte financimi i parë i rëndësishëm amerikan për planin e rindërtimit të territorit.
Trump e krijoi “Boardin e Paqes” për të mbikëqyrur planin e tij për përfundimin e luftës në Gaza dhe për rindërtimin e territorit pas konfliktit.
Megjithatë, zbatimi i nismës ka hasur pengesa. Sipas raportimit, pas njoftimit për një marrëveshje në fund të korrikut, procesi ka ngecur, ndërsa Izraeli dhe Hamasi nuk kanë përmbushur disa nga kushtet e nevojshme për avancimin e saj.
Një tjetër pengesë është financimi. Sipas Axios, “Board of Peace” dhe qeveria palestineze ende nuk kanë siguruar të gjithë shumën prej 2.45 miliardë dollarësh. Megjithatë, ata besojnë se, nëse tejkalohen pengesat politike, vendet donatore do të kontribuojnë me fondet e nevojshme.
Plani i ri tregon se rindërtimi i Gazës parashikohet si një proces shumëvjeçar dhe me kosto shumë më të lartë se fondi fillestar prej 2.45 miliardë dollarësh, me nevojën totale të vlerësuar në më shumë se 71 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve. /Telegrafi/