Një aeroplan biznesi Cessna 560XLS+ i kompanisë VistaJet u ul mëngjesin e 12 shtatorit në aeroportin ushtarak të Forcave Ajrore Mbretërore Fairford, në Britaninë e Madhe, megjithëse duhej të ulej në aeroportin civil Cotswold në Kemble.
Aeroplan i, i regjistruar në Gjermani me shenjën D-CJMK, ishte nisur nga London City dhe destinacioni i tij ishte aeroporti Cotswold. Megjithatë, ekuipazhi u ul në RAF Fairford, një bazë aktive ushtarake amerikane, rreth 18 kilometra në lindje të Kemble.
Incidenti tërhoqi vëmendje të veçantë sepse në Fairford ndodhen aktualisht bombarduesit amerikanë B-1B Lancer dhe avioni zbulues U-2. Në të kaluarën, në këtë bazë janë parë shpesh edhe bombarduesit B-52 Stratofortress dhe bombarduesit stealth B-2 Spirit. Për këtë arsye, mbërritja e paplanifikuar e një aeroplani civil menjëherë tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së bazës.
Piloti e kuptoi shpejt se ishte ulur në aeroportin e gabuar dhe donte të vazhdonte menjëherë drejt Kemble, por nuk iu lejua. Ekuipazhi dhe aeroplani u mbajtën në tokë derisa u zhvilluan bisedimet dhe procedurat e nevojshme administrative.
Cessna u ul në Fairford pak pas orës 9:00 sipas kohës lokale, ndërsa drejt Kemble u nis vetëm pak pas mesditës.
Të dhënat e fluturimit tregojnë se kalimi drejt aeroportit të duhur zgjati vetëm disa minuta. Më pas, aeroplani vazhdoi udhëtimin drejt Gdanskut.
Bëhet fjalë për modelin Cessna 560XLS+ Citation Excel, një avion biznesi që mund të transportojë deri në nëntë pasagjerë. Ai operohet nga VistaJet, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e aviacionit privat, me një flotë prej më shumë se 200 avionësh.
Gabime të ngjashme janë regjistruar edhe më parë në këtë zonë, pasi aeroportet Kemble dhe Fairford ndodhen shumë pranë njëri-tjetrit dhe pistat e tyre kanë orientim të ngjashëm.
Deri tani nuk dihet nëse për këtë incident të ri do të nisë një hetim zyrtar. Askush nuk u lëndua dhe nuk është raportuar asnjë dëmtim i aeroplanit apo i infrastrukturës. /Telegrafi/