Antonio Conte mund të bëjë ndryshime të mëdha te Manchester United nëse emërohet trajner në vend të Michael Carrick. Pesë futbollistë të skuadrës mund ta pësojnë nga ardhja e italianit, duke rrezikuar të humbasin vendin në ekip ose të largohen nga klubi.
Carrick po kalon një periudhë të vështirë dhe, sipas raportimeve, ndeshja e së dielës kundër Leeds United mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. Nëse shkarkohet vetëm pesë muaj pas emërimit të përhershëm, Conte përmendet si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar.
Trajneri italian njihet për kërkesat e larta ndaj futbollistëve dhe nuk heziton të largojë ata që nuk i përshtaten planeve të tij. Në këtë situatë, pesë lojtarë të United mund ta shohin veten në një pozitë të vështirë.
Marcus Rashford
Rashford nuk po arrin të sigurojë minuta të rregullta te Manchester United, pavarësisht se është njëri nga futbollistët më të paguar të klubit. Para sezonit 2026/27 pritej që ai të transferohej përfundimisht te Barcelona, pas një periudhe të suksesshme në Spanjë, por klubi katalunas zgjodhi Anthony Gordonin.
Meqë nuk u gjet një klub tjetër i gatshëm të përmbushte kërkesat e tij financiare, Rashford mbeti në “Old Trafford”. Megjithatë, nëse vjen Conte, anglezi mund të shihet si një lojtar nga shitja e të cilit klubi mund të sigurojë mjete për një transferim të ri. Kontrata e tij skadon në vitin 2028.
Mason Mount
Mount iu bashkua Unitedit nga Chelsea në korrik të vitit 2023, për një shumë fillestare prej 55 milionë funtesh, rreth 63 milionë euro. Megjithatë, lëndimet e shpeshta e kanë penguar të lërë gjurmë në skuadrën e re, duke regjistruar vetëm 76 paraqitje në të gjitha garat.
Përforcimet e bëra në mesfushë gjatë verës e kanë shtuar konkurrencën për një vend në ekip. Me kontratën që i skadon në vitin 2028, Conte mund ta konsiderojë largimin e tij si një mundësi për të liruar hapësirë dhe për të financuar transferimin e objektivave të vet.
Luke Shaw
Lëndimet e shpeshta janë gjithashtu një problem për Luke Shaw, i cili mund të mos jetë pjesë e planeve të Contes, nëse italiani merr drejtimin e Unitedit. Edhe pse profili i tij mund t’i përshtatet sistemit të trajnerit, vështirësitë për të qenë rregullisht në dispozicion mbeten pengesë.
Kontrata e mbrojtësit anglez skadon verën e ardhshme. Nëse Conte emërohet dhe Shaw vazhdon të ketë probleme fizike, United mund të shqyrtojë shitjen e tij që në janar ose ta lejojë të largohet si lojtar i lirë, duke hapur rrugën për transferimin e një mbrojtësi të ri të majtë.
Diogo Dalot
Ndryshimet e mundshme në mbrojtje mund ta prekin edhe Diogo Dalotin. Portugezi është një futbollist i rëndësishëm për shkak të fleksibilitetit të tij, pasi mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes.
Për këtë arsye, ai duket më pak i rrezikuar se emrat e tjerë, por ardhja e Contes mund ta detyrojë të pranojë një rol më të kufizuar, nëse trajneri vendos të përforcojë repartin defensiv. Edhe kontrata e Dalotit përfundon në qershor të vitit 2028.
Joshua Zirkzee
Zirkzee është përfolur prej kohësh për një largim të mundshëm nga Manchester United dhe ndryshimi në stol mund ta përshpejtojë këtë skenar. Transferimi i tij nga Bologna në vitin 2024, për rreth 42 milionë euro, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.
Nëse Conte merr drejtimin e skuadrës, sulmuesi holandez do të duhet të bindë trajnerin se e meriton një vend në ekip. Në të kundërt, ai mund të konsiderohet i tepërt, sidomos duke pasur parasysh konkurrencën me Benjamin Sesko dhe Matheus Cunhan në repartin ofensiv./Telegrafi/

