Pse Michelangelo e paraqiti Moisiun me brirë? Pse ka majmunë në Dhomën e gjigantëve të Giulio Romanos? Dhe, pse skena e Lindjes së Krishtit e paraqet Jezusin me një ka dhe një gomar? Epo, këto, ndër të tjera, janë të gjitha gabime të shkaktuara prej përkthimeve të pasakta. Le të fillojmë nga fillimi dhe të shqyrtojmë pesë gabimet në përkthim që ndryshuan historinë e artit.
Nga: Arianna Richetti / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com
Filologjia (nga fjala e greqishtes së lashtë filología, e përbërë nga fìlos, “mik, dashurues”, dhe lògos, “fjalë, ligjërim”) është disiplina që studion tekste të natyrave të ndryshme dhe nga periudha të ndryshme, me qëllim që të përcaktojë formën dhe kuptimin e tyre origjinal.
Megjithatë, kur marrim parasysh kohën e gjatë që kaloi derisa tekstet e shenjta dhe mitet (të cilat fillimisht vinin nga tradita gojore) më në fund u hodhën në shkrim … mund të bëhet fjalë për mijëra vjet. Me kalimin e kohës, disa tekste humbasin, të tjerat shkatërrohen ose dëmtohen dhe shumë përkthehen gabimisht. Përveç kësaj, siç thotë një shprehje e mirënjohur latine, errare humanum est, do të thotë se gabimet ndodhin. Megjithatë, disa gabime janë më të rëndësishme se të tjerat: prandaj, le të zbulojmë se cilat gabime e ndryshuan përgjithmonë historinë e artit.
Lexo po ashtu:
– Përkthimi si një aventurë dashurore
– Nëse robotët bëhen përkthyesit tanë, rrezikojmë një katastrofë kulturore
– Inteligjenca artificiale rrezikon përkthyesit
– Mendime rreth përkthimit
– Thënie për përkthyesit
1. Moisiu dhe brirët e tij
Në vitin 1505, Michelangelo sapo kishte fituar famë dhe sukses të madh me kryeveprën e tij Davidi; për këtë arsye Papa Juli II (themeluesi i Muzeve të Vatikanit) e ngarkoi të krijonte monumentin e tij funebër, i cili fillimisht ishte parashikuar për Bazilikën e Shën Pjetrit.
Plani i parë për monumentin ishte shumë i ndërlikuar. Michelangelo projektoi një strukturë kolosale me tri nivele – me shumë statuja të mëdha – e cila do të përmbante varrin e Papës. Megjithatë, kur Papa vdiq në vitin 1513, trashëgimtarët e tij nuk mund ta përballonin një shpenzim të tillë, prandaj e ndryshuan projektin fillestar të Michelangelos. Ata ia zvogëluan ndjeshëm përmasat, duke hequr mauzoleun dhe shumicën e statujave.
Michelangelo, “Moisiu” (1513-1515)
Mund ta dalloni tashmë figurën e statujës kryesore të projektit përfundimtar; ajo paraqet Moisiun, një nga personazhet më të rëndësishme biblike. Siç e përshkroi Giorgio Vasari:
Fytyra e bukur, si ajo e një shenjti dhe e një princi të fuqishëm, duket, kur e vështron, se ka nevojë për velin që ta mbulojë, aq e shkëlqyeshme dhe e ndritshme shfaqet, dhe aq mirë e ka paraqitur artisti në mermer hyjninë me të cilën Perëndia e kishte pajisur atë fytyrë të shenjtë.
Giorgio Vasari, Jeta e artistëve, 1550.
Michelangelo, “Moisiu” (detaj)
Kishte shumë njerëz që u përpoqën ta kuptonin dhe ta shpjegonin vështrimin dhe gjendjen mendore të Moisiut (përfshirë edhe Freudin!), por, mbi të gjitha, shumë veta kanë pyetur: pse Moisiu ka brirë?
Michelangelo thjesht ndoqi konvencionin ikonografik – të zakonshëm në krishterimin latin. Gabimi buron nga përkthimi i pasaktë që Shën Jeronimi i bëri një fjale në fragmentin biblik që gjendet në kapitullin 34 të Eksodit. Bibla e Due-Remsit e përkthen Vulgatën e Jeronimit kështu:
Dhe, kur Moisiu zbriti nga mali Sinai, mbante dy pllakat e dëshmisë dhe nuk e dinte se fytyra e tij ishte me brirë nga biseda me Zotin.
Bibla Douay-Rheims, Eksodi, kapitulli 34, vargjet 29-30, 35
Shkrimi hebraik transkripton vetëm bashkëtingëlloret, ndërsa zanoret i shënon me simbole të vogla pranë bashkëtingëlloreve. Prandaj, besohet se Jeronimi bëri një gabim në vokalizim: në vend që termin hebraik קָרַ֛ן, qāran, me kuptimin “që shkëlqen” ose “që lëshon rreze”, ta përkthente në këtë kuptim, ai e mori si qeren, që do të thotë “bri”.
Pra, Moisiu shkëlqente ngaqë kishte folur me Perëndinë (dhe kush nuk do të shkëlqente?). Del se, në të vërtetë, ai nuk kishte brirë!
2. Vdekja e Zezë
Gjithmonë ka pasur epidemi dhe murtaja që kanë pllakosur historinë e njerëzimit. Këto fatkeqësi shkaktojnë ndryshime të thella në histori, shoqëri dhe kulturë. Vdekja e Zezë, e njohur gjithashtu si Murtaja ose Pestilenca, ishte një sëmundje pandemike që u përhap në të gjithë Euroazinë dhe Afrikën e Veriut, duke arritur kulmin në Evropë nga viti 1347 deri më 1351. Vlerësohet se ka vrarë 75-200 milionë njerëz, duke e zvogëluar popullsinë e Evropës me 30-60 përqind.
Padyshim që murtaja ka pasur ndikim të madh në historinë e artit. Shumë artistë të ndryshëm e kanë paraqitur atë në raste të shumta gjatë shekujve pasues. Meqë një nga emrat e saj të zakonshëm është Vdekja e Zezë, shumë paraqitje artistike e përshkruajnë si figurë të zezë ose si krijesë të veshur me mantel të zi.
Giovanni di Paolo, “Alegoria e murtajës”, shekulli XV
Siç shohim në pikturën e mësipërme, Alegoria e Murtajës, nga shekulli XV, artisti e paraqet sëmundjen si figurë të zezë me krahë, ndoshta engjëll, duke kalëruar një kalë të zi. Murtaja paraqitet duke marrë në shënjestër viktimat e saj dhe duke i qëlluar me shigjetë. Figura me krahë mban gjithashtu një drapër, i cili është simbol i lidhur me vdekjen.
Jules Elie Delaunay, “Murtaja në Romë” (1869)
Murtaja në Romë nga Delaunay ishte një nga veprat më të vlerësuara në Salonin e Parisit në vitin 1869; artisti u frymëzua nga një afresk i vitit 1476 që kishte parë në Kishën e Shën Pjetrit në Pranga, i cili paraqiste një epidemi murtaje.
Piktura sjell ndër mend një fragment nga Legjenda e Artë e Jacobus de Voragineit, që rrëfen historinë e Shën Sebastianit, dhe paraqet një engjëll të mirë që urdhëron një engjëll të keq me mantel të zi të armatosur me shtizë. Engjëlli i keq godet shtëpitë dhe në secilën shtëpi ka aq vdekje sa është numri i goditjeve në derë.
Arnold Böcklin, “Murtaja”, 1898
Simbolisti Arnold Böcklin kishte një obsesion me makthet, vdekjen dhe errësirën. Artisti ishte i interesuar për murtajën dhe e paraqiti atë si figurë shqetësuese me veshje të zeza, duke kalëruar një krijesë të ngjashme me dragoin.
Megjithatë, simptomat e murtajës ishin ethet, të dridhurat, ënjtjet dhe njollat me ngjyra të ndryshme, por jo një trup i zi. Atëherë, pse e quajmë Vdekja e Zezë?
Shpjegimi më i mundshëm për këtë është një përkthim i gabuar nga kronistët suedezë dhe danezë, të cilin mjeku gjerman J. F. K. Hecker e rikujtoi në shekullin XVIII. Heckeri shkroi një artikull për pestilencën me titull Vdekja e Zezë, i cili më vonë u përkthye në gjuhë të ndryshme.
Pra, kështu, një emër i thjeshtë, i lindur nga një gabim në përkthim, ka prekur imagjinatën e artistëve për shekuj me radhë.
3. Majmunët në dhomën e gjigantëve
Pallati Te është pallat në periferi të Mantovës, në Itali, i ndërtuar midis viteve 1524 dhe 1534, dhe është kryevepra arkitekturore e Giulio Romanos. Dhomat e pallatit janë zbukuruar të në mënyrë të mrekullueshme me afreske dhe paraqesin mite, simbole të artit romak dhe paganizëm. Dhoma më e jashtëzakonshme është e ashtuquajtura Dhoma e gjigantëve, ku artisti paraqet historinë e Rënies së gjigantëve. Kjo histori bazohet në poemën latine Metamorfozat e poetit romak Ovidi.
Giulio Romano, “Tavani i dhomës së gjigantëve” (1532-1535)
Romano na krijon iluzionin se nuk ekziston as hapësirë, as kohë, por vetëm historia, dhe arrin të na hedhë drejtpërdrejt në veprim. Ai paraqet çastin kur Zeusi mbledh të gjithë perënditë e tjera dhe ndëshkon gjigantët kryengritës që u përpoqën të sulmonin malin Olimp.
Giulio Romano, “Muret e dhomës së gjigantëve” (1532-1535)
Nëse shikoni me kujdes, do të vini re se ka disa majmunë mbi shkëmbinj dhe kufomat e gjigantëve. Por, ajo që mund të mos kuptoni është se çfarë lidhje kanë majmunët me perënditë dhe gjigantët.
Giulio Romano, “Majmunët në dhomën e gjigantëve” (1532-1535), detaj
Sipas një botimi të saktë filologjik të Metamorfozave të Ovidit, thuhet se brezi i dytë i njerëzimit lindi nga gjaku i gjigantëve të rënë; një nga vargjet thotë scires e sanguine natos, që do të thotë do ta dije se (ata breza) kishin lindur nga gjaku.
Duket se në kopjen e Metamorfozave që kishte Romano, ky përkthim ishte i pasaktë; në fakt, po ai varg thoshte scimies e sanguine natos, që do të thotë majmunë të lindur nga gjaku. Një tjetër artist i mashtruar nga arti kompleks i përkthimit!
4. Krijimi i Evës
Michelangelo, “Krijimi i Evës”, rreth vitit 1511, tavani i Kapelës Sistine
Në historinë e artit ka shumë vepra arti të llojeve të ndryshme që përshkruajnë historinë e krijimit të gruas së parë, Evës, sipas fesë së krishterë. Paraqitja më e famshme e Krijimit të Evës është ajo e Michelangelos, që është afresk në tavanin e Kapelës Sistine. Por, ka edhe shumë të tjera në formën e pikturave, basorelieveve dhe gravurave.
Krijimi i Evës, gravurë nga libri “Speculum Humanæ Salvationis” (1470)
Secila prej këtyre veprave të artit paraqet të njëjtën skenë: Perëndinë duke e mirëpritur Evën pasi e krijoi atë nga brinja e Adamit. Artistët e paraqitën historinë në këtë mënyrë për shkak të fragmentit biblik në Librin e Zanafillës. Megjithatë, kjo nuk është një paraqitje shumë lavdëruese e grave. Ato paraqiten si shtojcë e burrit dhe të dënuara me një rol të nënshtruar që nga fillimi.
Lorenzo Maitani, “Krijimi i Evës”, shekulli XIV, basoreliev në fasadën e Katedrales së Orvietos
Megjithatë, gra të botës, mos u shqetësoni! Sepse, kjo histori bazohet në një gabim të bërë nga përkthyesit – gabim që zgjati me shekuj. Në fakt, fjala hebraike për “brinjë” është tselah, dhe ajo mund të ketë gjithashtu kuptimin “anë” ose “gjysmë”. Kjo fjalë shfaqet 49 herë në Bibël me kuptimin “gjysmë” dhe vetëm një herë me kuptimin “brinjë”; vetëm në vargjet që përshkruajnë Krijimin e Evës.
Paolo Veronese, “Krijimi i Evës” (1570-1580)
Versioni i saktë i historisë do t’i vendoste burrat dhe gratë në të njëjtin nivel dhe në një marrëdhënie të barabartë. Dhe, sikur të kishte qenë ai version që do të ishte përcjellë ndër shekuj, ndoshta sot bota do të ishte paksa më ndryshe …
5. Kau dhe gomari që mirëpresin Jezusin
Lindja e Jezusit ka qenë gjithmonë një nga temat e parapëlqyera të artit të krishterë dhe ishte veçanërisht e tillë në Itali midis Mesjetës dhe Rilindjes. Megjithatë, ajo shfaqet gjithashtu në fund të shekullit XIX, gjatë periudhës simboliste, pasi humbi kuptimin e saj të shenjtë dhe u bë simbol i amësisë.
Giotto, “Lindja e Jezusit” (1303-1305)
Fra Angelico, “Lindja” (1440-1441)
Çdo artist ka stilin dhe mënyrat e veta të paraqitjes së skenës së shenjtë: nga paraqitjet e Giottos dhe Fra Angelicos të cilat evokojnë një ikonografi më të thjeshtë dhe klasike, deri te stilet e pasura dhe luksoze të Domenico Ghirlandaios dhe Sandro Botticellit.
Domenico Ghirlandaio, “Adhurimi i barinjve” (1485)
Sandro Botticelli, “Lindja mistike” (1501)
Artistët e parë që paraqitën skenat e Lindjes së Jezusit pikturuan pothuajse fjalë për fjalë atë që kishin lexuar ose dinin për të nga Bibla. Paraqitja e zakonshme e tregonte foshnjën Jezus me Marinë dhe Jozefin, ndërsa kaun dhe gomarin me engjëjt sipër.
Po hamendësoj se mund të keni menduar që arsyeja pse në çdo skenë të Lindjes gjenden një ka dhe një gomar është se Maria e lindi Jezusin në një stallë. Duket e arsyeshme, por e vërteta është se ata gjenden aty vetëm për shkak të një gabimi në përkthim.
Albrecht Dürer, “Altari Paumgartner” (1496-1504)
Vincenzo Foppa, “Lindja e Jezusit” (1492)
Katër Ungjijtë nuk i përmendin kurrë këto kafshë; mund t’i gjejmë vetëm në Ungjillin e Pseudo-Mateut, i cili është apokrif. Me fjalë të tjera, nuk është një nga tekstet e shenjta të njohura. Në kapitullin 14 të Ungjillit të Pseudo-Mateut thuhet:
Dhe, në ditën e tretë pas lindjes së Zotit tonë Jezu Krisht, e bekuara Mari doli nga shpella dhe, duke hyrë në një stallë, e vendosi fëmijën në grazhd, dhe kau e gomari e adhuruan Atë. Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nga profeti Isaia, duke thënë: Kau e njeh të zotin e vet dhe gomari grazhdin e të zotit të vet. Isaia 1:3. Prandaj, vetë kafshët, kau dhe gomari, duke e pasur Atë në mesin e tyre, e adhuronin pa pushim. Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nga profeti Abakuk, duke thënë: Mes dy kafshëve ti shfaqesh. Në të njëjtin vend Jozefi qëndroi me Marinë tri ditë.
Ungjilli i Pseudo-Mateut, 14
Këtu ka dy gabime të mëdha. I pari lidhet me profecinë e Isaias, e cila në të vërtetë nuk ka aspak të bëjë me lindjen. Profeti po ankohej se Izraeli nuk e njihte dhe nuk e pranonte më Perëndinë e vet, ndërkohë që edhe kafshët janë në gjendje ta njohin të zotin e tyre.
Gabimi i dytë lidhet me profecinë e Abakukut, e cila ishte përkthyer gabimisht. Në fakt, dikush e përktheu në latinisht shprehjen “mes dy kafshëve” si in medio duorum animalium, por shprehja origjinale greke ishte ndryshe. Përkthyesi duhet ta ketë ngatërruar gjinoren e shumësit të fjalës greke zoé, që do të thotë “epoka”, me atë të fjalës greke zoon, që do të thotë “kafshë”.
Kjo është arsyeja pse kjo profeci e përkthyer gabimisht, e cila ndoshta nënkuptonte se Jezusi do të kishte qenë një ndarje mes dy epokave, i ka ngulitur këto dy kafshë të lezetshme në imagjinatën kolektive.
Rëndësia e filologjisë për historinë e artit
Tani mund të shihni se si një gabim i thjeshtë shkakton një zinxhir gabimesh që mund të ndryshojë jo vetëm historinë e artit, por edhe traditat dhe shoqërinë tonë. Kjo është arsyeja pse puna e filologëve dhe përkthyesve është kaq e rëndësishme dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë.
Nëse dëshironi të dini më shumë për këtë temë, ju rekomandoj shumë 111 gabime përkthimi që ndryshuan botën [111 Translation Mistakes That Changed the World] nga Romolo Giovanni Capuano. Ai ka frymëzuar këtë artikull dhe mund ta ndryshojë botën tuaj! /Telegrafi/